NGA: Veton Surroi

Në dy kilometra e gjysmë katrorë të “tokës së askujt”, ku u vra Oliver Ivanoviqi, nuk sundonte një shtet. Sundonin nënkontraktuesit kriminelë të shtetit. Apo shteteve, elitat e të cilave qenë dakorduar, me heshtje apo marrëveshje, se është tokë e askujt.

1.Ditën kur u vra Oliver Ivanoviqi dy shtete u vunë në funksion për të vërë në dije se ai u vra në territorin e tyre. Prokuroria e Kosovës menjëherë përcaktoi dy prokurorë dhe njësitë e nevojshme të policisë për ta gjetur vrasësin, policia e Kosovës ofroi madje edhe një shumë parash për informata që do të shpinin tek vrasësi. Prokuroria e Serbisë filloi “punët parahetimore”, me ndihmën e policisë dhe të shërbimit sekret. Disa orë pasi qe vrarë, Oliver Ivanoviqi u bë sërish pjesë e një situate të ndërlikuar. Në diskursin politik kosovar, vrasja e tij u bë pjesë e një skenari për destabilizimin e Kosovës. Në diskursin politik të Serbisë, vrasja e tij qe sulm ndaj serbëve, veriut të “Kosovës dhe Metohisë” dhe vetë Serbisë, siç do të deklarojë presidenti serb, Vuçiq.

2.Oliveri qe i ndërlikuar edhe në të gjallë. Për dallim prej shumë serbëve urbanë, ai kishte mësuar shqipen, duke u rritur mes shqiptarësh në Gjakovë e pastaj në Mitrovicë e Prishtinë. Për dallim prej shumë serbëve urbanë, kishte dashur të ishte pilot i aviacionit dhe pas tre vjetësh qëndrimi në Akademinë e Aviacionit Luftarak në Zagreb u hetua më në fund se nuk mund të ishte pilot, sepse kishte mangësi të dukshme në shikim, siç dëshmohej në vitet e mëvonshme, me syzet e trasha miopie. Për dallim prej shumë serbëve urbanë që kishin kryer fakultetin, vendosi të punësohej në Kosovë; në disa udhëtime me të në konferenca të ndryshme nëpër Evropë më tregonte anekdota të dëfrimeve të përbashkëta të drejtorëve të ndryshëm komercialë, shqiptarë, me të cilët ishte rritur në komoditetin e mëditjeve të socializmit vetëqeverisës. Dhe, për dallim prej shumë serbëve urbanë, nuk ngurroi të vishte uniformën e eprorit të policisë rezervë gjatë luftës në Kosovë, më 1999, dhe të vihet në komandë të njësitit që do të mbronte Mitrovicën nga armiqtë e Serbisë, shqiptarët e NATO-n.

Në ditët e para të çlirimit të Kosovës, ndërsa shihej e pandërprerë kolona qoftë e të ikurve, qoftë e të përndjekurve serbë, Oliver Ivanoviqi kishte mundësi t’u bashkohej dhe të gjente një jetë të re në Serbi, mundësisht në Beogradin të cilin e synonin të gjithë ikanakët e të gjitha luftërave serbe të shekullit XX, apo, siç bëri, të vendoste të rrinte dhe të vihej në ballë të mbrojtjes së serbëve në atë pjesë të Mitrovicës. Dhe, me luftë do të ishte hera e parë që do të ndiente se thyente një parim të vendosur që në fëmijëri: “Kurrë nuk kam pranuar të luaj futboll të ndarë në ekipe shqiptarë e shkije”.

3.Oliver Ivanoviqin e takova për herë të parë në sallën e kuqe të “Boro – Ramizit” më 2000, në një ngjarje kulturore të organizuar nga UNMIK-u. Aty ishte me Bajram Rexhepin. Kishin ardhur së bashku në një veturë të përcjellë nga Policia e UNMIK-ut: ata dy qenë simbol i shpresave të një eksperimentit të ri në shtetndërtim. Bajram Rexhepi, një mjek shqiptar, djalë i qytetit, në rini i identifikuar me afinitet për muzikë roku dhe dëshira të vajzave shqiptare, serbe a boshnjake për t’u shoqëruar me të, duhej të ndërtonte modelin e liderit shqiptar në një qytet të dhunshëm, të trazuar dhe të ndarë si Mitrovica. Ai duhej të ishte dëshmia se të jesh shqiptar e atdhetar, ish-pjesëtar i UÇK-së, nuk do të thotë të mos gjesh vendin e duhur të barazisë për serbët në lirinë e posafituar. Oliver Ivanoviqi duhej të ishte modeli i ri i serbëve të Kosovës, një njeri që në një gjendje të re, ku nuk ka më pushtet të Serbisë, do të duhej të ishte mbrojtësi i interesave serbe duke bashkëpunuar me shqiptarët.
Për një kohë të gjatë Oliver Ivanoviqi filloi të ndërtonte imazhin e serbit bashkëkohor në Kosovën e re, me një inteligjencë dhe zhdërvjelltësi, nëpërmjet balancave të reja politike. Do të krijonte relacion me bashkësinë ndërkombëtare, duke u paraqitur si faktor serb lokal e me një porosi: ju mund të bisedoni me prijësit serbë në Beograd e me prijësit shqiptarë në Prishtinë, por në fund duhet të bisedoni me ne për punët tona. Do të krijonte relacion me prijësit shqiptarë me një porosi: ju mund të merreni vesh me amerikanë e evropianë, por në fund duhet të merreni vesh me ne për punët tona. Dhe do të krijonte relacion me Serbinë, me një porosi: ne do të bisedojmë me të gjithë për punët tona, por në fund nuk do të vendosim pa ju.

I gëzohej rolit të porsazbuluar prej politikani, sikur njeriu që zbulon kënaqësinë e projektit të ri, të ndërtimit të një shtëpie. Dhe, këtë gëzim e shprehte me idealizmin e pjesëmarrjes në Kuvendin e parë të zgjedhur me votë të lirë në Kosovë, duke përfaqësuar grupin e serbëve të Kosovës që dilnin nga frika dhe provincializmi dhe flisnin për interesat e tyre në Prishtinë. Dhe këtë gëzim e shndërronte në hidhërim kur shihte institucione që nuk janë kompetente, e që kalojnë kohën në debate të kota, pa ndonjë ide, vullnet apo mundësi vendimmarrjeje. Megjithatë, për asnjë moment nuk e braktisi bindjen se interesi i serbëve të Kosovës duhet të integrohet institucionalisht në Kosovë, madje edhe duke marrë pjesë në konsultimet e Ekipit negociator të Kosovës, i cili në mënyrë të hapët këto i bënte si përgatitje për shpallje të pavarësisë së vendit.

4.Oliver Ivanoviqi u bë i panevojshëm në politikën kosovare kur u pa se gjërat mund të ishin më të thjeshta se prania e tij e ndërlikuar. Në vend të balancave me të cilat ai gëzohej duke lozur politikë, në vend të demokracisë, debatit e votës së lirë dhe në vend të njerëzve që kishin kryer fakultet apo kishin krijuar emër intelektual në mjediset e veta, interesi serb mund të përfaqësohej nga Beogradi me këdo që do ta caktonte Beogradi, mundësisht sa më injorant apo të panjohur. Pushteti në Prishtinë, pas shpalljes së Pavarësisë, vendosi se e kishte më lehtë të bisedonte me pushtetin në Beograd sesa me dhjetëra serbë të shkapërderdhur me demokraci e territor nëpër parti e lëvizje. Pushteti në Beograd vendosi se është më lehtë të faktorizohej në botë si zëri i serbëve të Kosovës dhe ndërmjetësit në Bruksel zbuluan lehtësinë e dy adresave, dy liderëve me të cilët do të konsultoheshin në thjeshtësinë më të madhe të mundshme: ja interesi i shqiptarëve, ja interesi i serbëve dhe presto, apo pronto, ja marrëveshja. Përderisa skena politike thjeshtësohej, ndërlikohej ajo e Oliver Ivanoviqit. U arrestua dhe u mbajt në paraburgim apo burg shtëpiak për tre vjet me akuza se kishte kryer krime kundër popullatës civile më 1999 dhe 2000. Gjashtë plumbat në shpinën e tij, dje në Mitrovicë e ndërlikuan mundësinë që të mbërrihet aktgjykimi që do të tregonte, juridikisht, se çka ndodhi. Me narracionet e ndara etnike, e vërteta do të jetojë në lëmshin e vet.

5.Oliveri besoi deri në fund në zgjedhje të ndërlikuara. Qe ithtar i hershëm i kantonizimit të Kosovës, me të cilën vendi do të bëhej i menaxhueshëm sa edhe Bosnjë-Hercegovina. Rrjedhimisht, qe ithtar i Bashkësisë së komunave serbe dhe kur u ngrit rezistenca shqiptare ndaj Marrëveshjes në Bruksel qe ithtar i implementimit të njëanshëm, pra që serbët në Kosovë dhe Serbia ta vendosnin këtë autonomi serbe pa e pyetur as Kosovën e as bashkësinë ndërkombëtare. Dhe, rrjedhimisht, qe besimtar i modelit qipriot për aderimin e Serbisë në BE. Me të Serbia do të hynte në BE si anëtare fuqiplote, duke mos hequr dorë nga “Kosova e Metohia”, por ligjet e BE-së nuk do të vlenin në territorin e “Kosovës dhe Metohisë”, ashtu siç nuk vlejnë në pjesën turke të Qipros (“Republikën Turke të Qipros së Veriut”).
Edhe këto formula – asnjëra prej tyre reale apo e dobishme – qenë pjesë e të qenit besimtar se duhet më shumë kohë për zgjidhjen e problemit të Kosovës, se me kohë do të tejkalohen animozitetet dhe do të gjenden zgjidhje edhe më kreative, edhe më të ndërlikuara. Por, përderisa ai ëndërronte për zgjidhje që do të ishin edhe më kreative, edhe më të ndërlikuara, e që do të zëvendësonin thjeshtësinë e shtrirjes së sundimit të ligjit në territorin e shtetit, gjërat në qytetin e tij bëheshin tmerrësisht të thjeshta. Siç do të vërejë në të dalë nga burgu, në intervistën për “Vreme”, në shtator të vitit të kaluar, Mitrovica e veriut është vendi ku qytetarët serbë frikohen. “… Ata njerëz nuk frikohen prej shqiptarëve, por prej serbëve, kapadainjve vendorë dhe kriminelëve, të cilët ngasin xhipa pa targa. Droga shitet në çdo kënd, çdo prind druan nga kjo… Në dy vjetët e fundit… kemi pasur mbi pesëdhjetë raste të djegies së veturave, hedhjes së granatave të dorës dhe dy vrasje të pasqaruara. E tëra kjo po ndodh në territorin prej dy kilometrash e gjysmë katrorë, tërësisht të mbuluar me kamera sigurie.”
Në nëntëmbëdhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës, përderisa Oliver Ivanoviqi përpiqej të krijonte zgjidhje më të ndërlikuar, njerëzit e xhipave të zinj pa targa vulosën një realitet i cili kuptohej thjesht: aty nuk sundon ligji, dhe përderisa nuk sundon ligji i shtetit, njerëzit e xhipave të zinj do të vendosnin ligjin e vet. Atyre njerëzve nuk u nevojitej Oliver Ivanoviqi, aq më pak kthimi i tij në politikë.

“Këto janë struktura kriminale të lidhura me politikën dhe kanë frikë panike nga kandidatura jonë. Për dikë që ka infrastrukturë, që ka shuma të mëdha parash dhe ka përkrahjen e Serbisë, partia jonë e vogël nuk duhej të ishte problem. Ata, megjithatë, dinë çka mendon populli për ta dhe frikohen se do të humbasin po të kenë qytetarët alternativë… Tash kanë panik”. Në dy kilometra e gjysmë katrorë të “tokës së askujt”, ku u vra Oliver Ivanoviqi, nuk sundonte një shtet. Sundonin nënkontraktuesit kriminelë të shtetit. Apo shteteve, elitat e të cilave qenë dakorduar, me heshtje apo marrëveshje, se është tokë e askujt.
Burimi:http://www.gsh.al/2018/01/20/vrasja-ne-token-e-askujt/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb