Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Në orët e para të mëngjesit të 2 janarit 2013, në fshatin Mazrek të komunës Kashar u gjet trupi i pajetë i një personi. Viktima ishte qëlluar me tre plumba dhe autorët i kishin marrë sendet personale, madje dhe portofolin. Prokuroria nisi hetimet për vrasje me qëllime grabitjen, por hetimet do të zbulonin faktin se Agron Dervishi, ishte vrarë me paramendim nga dy vëllezër, për shkak të një borxhi të pashlyer. Nga hetimet rezultoi se viktima kishte ardhur nga Italia në Shqipëri për të festuar festat e fundvitit, ndërsa ishte ndjekur, sipas prokurorisë, nga dy vëllezërit, Abdyl Lala (Aleks Totraku) dhe Mirjan Lala (Antonio Lala), të cilët vendosën të “lanin” me të hesapet e borxhit. Vrasja u zbulua krejt rastësisht, kur një prej djemve të familjes Lala, me banim në Kamëz, qëlloi me armë në ajër. Policia mblodhi gëzhojat në oborrin e shtëpisë së tyre dhe nga krahasimi, rezultoi se ishin të njëjta me ato të sekuestruara në vendin ku u gjet i vrarë Agron Dervishi. Pas afro dy vitesh, prokuroria mbylli hetimet dhe dosjen penale ndaj dy vëllezërve Lala ia dorëzoi gjykatës, e cila me shumë gjasë do t’i gjykojë të pandehurit në mungesë.
Gjetja e viktimës
Në dosjen e prokurorisë thuhet se: Në mëngjesin e datës 02.01.2013, Policia ka marrë njoftim se në fshatin Mazrek të komunës Kashar është parë nga kalimtarë të rastit trupi i pajetë i një personi shumë pranë një automjeti, jashtë tij. Policia identifikoi viktimën dhe rezultoi të ishte shtetasi Agron Dervishi. Ai ishte goditur me 3 plumba armë zjarri, gëzhojat e të cilëve u gjendën në vendin e ngjarjes. Nga ekspertiza e mëvonshme, rezultoi se dy predha ishin nga një pistoletë tip “Zastava” dhe një predhë ishte nga një pistoletë tip “TT”. Këto të dhëna krijuan dyshimet e arsyeshme se autorët e krimit mund të ishin dy persona. Po atë ditë, pas kontrollit të territorit rreth vendit të krimit, në një largësi rreth 40 metra nga viktima, e hedhur në ujë, u gjet edhe një armë tip “Zastava”, e cila rezultoi pas ekspertizës se ishte përdorur në këtë krim. Gjithashtu, u konstatua se viktimës i mungonte edhe portofoli, në të cilin, sipas deklarimeve të mëvonshme të familjarëve, rezultonte që kishte pasur rreth 500 euro. Fakti që mungonte portofoli, krijonte idenë fillestare se vrasja mund të ishte bërë për grabitje, e cila kishte përfunduar më pas me goditjen me armë zjarri me pasojë vdekjen e viktimës. Ky dyshim forcohej më tepër nga fakti që viktima jetonte në Itali dhe ato ditë gjendej në Shqipëri për të festuar festën e Vitit të Ri pranë familjarëve.
Zbulimi i të dyshuarve
Ndërsa zhvilloheshin hetime rreth ngjarjes, disa muaj më vonë, konkretisht në datën 08.11.2013, policia merr njoftim se në shtëpinë e shtetasit R.Lala, në Kamëz, djali i tij ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Forcat e policisë mbërrijnë në këtë banesë dhe, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ndër të tjera gjejnë edhe një gëzhojë pistolete, e cila, pas krahasimeve, rezultonte se kishte përputhje të plotë me gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes në rastin e vrasjes së shtetasit Agron Dervishi. Duke qenë se hetimi për vrasjen e janarit 2013 dukej se kishte një pistë konkrete, prokuroria rimerr në pyetje familjarët e viktimës. Një prej tyre, i cili jeton në Itali, deklaron se, tri javë pas ngjarjes, është telefonuar nga dy persona nga Shqipëria, të panjohur për të, të cilët i kërkonin 15 mijë euro për t’i treguar se cilët ishin autorët e vrasjes së familjarit të tyre. Ky deklarues shton se ka ardhur në Shqipëri disa ditë pas kësaj telefonate dhe është takuar me këta dy persona të panjohur prej tij. Ai u ka dhënë bashkëbiseduesve 1.4 milionë lekë dhe ata i kanë deklaruar se autorët e vrasjes së Agron Dervishit janë Abdyl Lala (Aleks Totraku) dhe Mirjan Lala (Antonio Lala). Këtë fakt, deklaruesi e ka bërë të ditur pasi është rithirrur në prokurori, pas zbulimit të gëzhojës së pistoletës në shtëpinë e vëllait të autorëve të dyshuar. Gjatë hetimit, prokuroria krijoi dyshime të arsyeshme në dy drejtime, që autorët e vrasjes së Agron Dervishit ishin pjesëtarë të familjes Lala. Kjo, së pari nga gëzhoja e gjetur në shtëpinë e një prej vëllezërve Lala dhe së dyti, nga deklarimet e familjarit të viktimës, i cili deklaroi se kishte informacion mbi emra konkretë autorësh. Prokuroria kontrolloi për hyrje-daljet nga Shqipëria të autorëve të dyshuar, të cilët jetonin në Zvicër. Rezultoi se Abdyl dhe Mirjan Lala kishin hyrë në Shqipëri në datën 29 dhjetor 2012 dhe Ademi kishte dalë nga Shqipëria në datën 5 janar 2013 (pra, 4 ditë pas krimit), ndërsa Mirjan (Antonio) Lala kishte dalë nga Shqipëria rreth një muaj më vonë. Pra, fakti që në ditët para dhe pas ngjarjes këta persona kanë qenë në Shqipëri, ishte një tjetër element për të forcuar dyshimin mbi autorët e krimit. Në vijim, prokuroria mori informacion mbi numrat e telefonave celularë që kanë pasur në përdorim në Shqipëri vëllezërit Lala, të cilët jetonin në Zvicër dhe vinin herë pas here në Shqipëri. Nga përgjigjet e kompanive celulare, rezultoi se në datën 1 janar 2013, telefonat që kanë pasur në përdorim autorët e dyshuar janë loguar në zonën ku ka ndodhur krimi, në kohën e krimit. Në këtë mënyrë, prokuroria krijoi bindjen e arsyeshme se vëllezërit Abdyl dhe Mirjan Lala ishin autorët e krimit.
Shkaku i vrasjes
Sipas prokurorisë, pasi u rimorën në pyetje familjarët e viktimës dhe autorëve, rezultoi se ndërmjet viktimës dhe autorëve kishte pasur një mosmarrëveshje, e cila kishte nisur në Itali, për shkak të një borxhi në shumë të konsiderueshme. Vëllezërit Lala i kishin kërkuar shpesh viktimës Agron Dervishi kthimin e borxhit, por prej tij nuk kishin marrë përgjigje pozitive. Për këtë arsye, autorët e dyshuar, konfliktin që kishte nisur në Itali kishin menduar ta zgjidhnin në Shqipëri. Kanë arritur të mësojnë se Agron Dervishi do të ishte në Shqipëri për të festuar ndërrimin e viteve dhe kanë marrë rrugën për në vendlindje, duke ndryshuar planet e tyre, pasi kishin menduar që Vitin e Ri ta festonin në një tjetër vend europian.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: