Me një listë të zgjeruar të dëshmitarëve të mbrojtjes që përfshin një gazetare, biznesmenë dhe prindërit e Babis Anagnostopoulos, sot fillon seanca në Gjykatën e Apelit për vrasësin e Caroline Crouch.
34-vjeçari, pas 12 muajsh dhe i dënuar me burgim të përjetshëm dhe një shtesë prej 10 vitesh, është rikthyer në gjykatë për të mbajtur përgjegjësi në shkallë të dytë, për aktin e urryer ndaj bashkëshortes së tij, të cilës i mori jetën më 11 maj të vitit 2021. Po ashtu ai vrau dhe qenin e tyre, Roxy, të cilin e vari për të inskenuar një grabitje, duke luajtur për 37 ditë rolin e burrit të ve.
Mediat greke raportojnë se Anagnostopoulos, me anë të avokatit të tij, z. Alexandros Papaioannidis, përveç dëshmitarëve të mbrojtjes, përfshirë një gazetare, do të kërkojë edhe ndihmën e një mjeku psikiatër, në mënyrë që të vendosë për gjendjen e tij mendore dhe që do të “ndërtojë” versionin se ai e vrau se Carolinen në një moment ‘tërbimi’.
Kjo kërkesë nuk u pranua në shkallën e parë, pasi prokurorja Evgenia Stathopoulos, foli për një krim të paramenduar, duke hedhur poshtë pretendimin e pilotit se ishte në gjendje të trazuar, duke theksuar se; “Ai ishte i vetëdijshëm për mizorinë e tij të paimagjinueshme. Kur filloi t’i bllokonte rrugët e frymëmarrjes Caroline, ai duhet të ketë ndjerë goditjet nga mbytja. Kishte kohë të tërhiqej. 60 sekonda është një kohë e gjatë për të menduar. Mekanizmi i vdekjes ishte menduar, pasi viktima ishte në gjumë. E vuri fëmijën të flinte në divan dhe u ngjit për të vrarë”, tha prokurorja.
Një tjetër lëvizje, e cila sipas informacioneve të protothema.gr, piloti ka kërkuar pjesëmarrjen në seancë edhe të prindërve të Caroline, David dhe Susanna Crouchs, me qëllim që të të ekzaminohen. Një kërkesë, e cila do të shqetësojë prindërit e vajzës së ndjerë pasi disa kohë më parë ata u shpërngulën përgjithmonë në Filipine dhe David Crouch ishte i fundit që u largua nga Alonissos, pasi mjekët nuk lejuan që ai të udhëtonte për shkak të disa problemeve shëndetësore. Rrjedhimisht, kërkesa për t’u paraqitur në gjykatë dhe detyrimi për të hipur në aeroplan dhe për të udhëtuar 15+ orë për në Athinë, sigurisht që do të rëndojë shëndetin e tij tashmë të lëkundur.
(BalkanWeb)