Vrasja tragjike e 14-vjeçarit Martin Cani, në afërsi të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ka shkaktuar reagime të shumta në publik, përfshirë edhe një postimin prekës të gazetares Klodiana Lala. Ajo ka ndarë një mesazh të fuqishëm në rrjetet sociale, duke theksuar se ngjarje të tilla tragjike janë pasojë e një krize të thellë shoqërore dhe sistematike që prek të gjitha segmentet e shoqërisë.

Në postimin e saj, Lala e cilëson vrasjen e Martinit si një ngjarje që ndodhi pas një sherri të nisur në rrjetet sociale, një situatë që përshkruan si një dramë që ndodh gjithnjë e më shpesh në shkollat shqiptare. Ajo shprehu shqetësimin për rritjen e dhunës, bullizmit, abuzimeve dhe përhapjes së drogës dhe alkoolit pranë shkollave.

“Si nënë e dy fëmijëve që frekuentojnë shkolla publike, jam e mirëinformuar për gjithçka që ndodh realisht. Shoh dhe raportoj ditë pas dite sesi shiten doza droge në ambientet rreth shkollës, sesi tregtohet alkool, e sesi dhuna dhe sherri përhapen mes fëmijëve,” shkruan Lala, duke kritikuar dështimin e institucioneve për të krijuar mekanizma mbrojtës për fëmijët.

Lala përmend gjithashtu babain e Martinit, Engjëllin, të cilin e përshkruan si një burrë të edukuar, punëtor dhe shembullor. Ajo tregon se Engjëlli, i cili ka punuar për vite si kamarier, kishte plane të largohej për në Amerikë, duke shpresuar për një jetë më të mirë për veten dhe familjen. Por, tragjikisht, ai mori lajmin e vrasjes së djalit të tij ndërsa ishte në punë. Lala thekson se pavarësisht përpjekjeve të Engjëllit për të siguruar një të ardhme më të mirë për djalin, ai nuk mundi ta shpëtonte Martinin.

“Në këtë moment tragjik, faji është i yni të gjithëve. Nis nga familja, vazhdon me mësuesit, punonjësit socialë, psikologët në shkolla, oficerët e sigurisë, pushtetin vendor, ministrinë e Arsimit dhe deri tek policia,” shkruan ajo.

Ajo apeloi për urgjencë në mbrojtjen e fëmijëve, duke e cilësuar si një “emergjencë kombëtare”. Ajo kërkon që të gjithë të reflektojnë dhe të angazhohen për të ndryshuar situatën, sepse, sipas saj, “sytë e pafajshëm të Martinit duhet të na trondisin të gjithëve dhe të na ndihmojnë të kuptojmë se nesër mund të jetë shumë vonë.”

“Nëse nuk veprojmë tani, nesër do të jetë shumë vonë. Mbrojtja e fëmijëve është emergjencë kombëtare!” – përfundoi mesazhin e saj Lala.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb