Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Memaliaj, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre persona të vrarë.

Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se tre persona janë ekzekutuar me breshëri kallashnikovi dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.

Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje të rëndë, ndërkohë që Policia e Gjirokastrës ndodhet në vendngjarje.

Viktimat janë Shyqyri Shaban Kalemi, Marsel Bashkim Çela, Gledio Riza Muka, ndërsa i plagosur ka mbetur Artur Shaban Kalemi që ndodhet ne spital reaminacion.

Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e një lokali në pronësi të K.K, në lagjen nr.3, të Memaliajt.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Memaliaj/Informacion paraprak

Rreth orës 23:20, në lagjen nr. 3, Memaliaj, në lokalin e shtetasit K. K., në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri shtetasit Sh. K., M. C., dhe G. M, si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi A. K., i cili është transportuar për në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë kontrollet.

Menjëherë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Berat, Vlorë.

Në drejtim të Memaliajt janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë si dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë dhe me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale ku vijojnë punën në vendngjarje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb