TIRANE – Avokati që dy ditë pas vrasjes së dyfishtë në Selitë njihej zyrtarisht si përfaqësues ligjor i Flamur Ymerit, nuk është lejuar që ta mbrojë atë edhe ditën kur do të caktohej masa e sigurisë.

Gazeta “Panorama” shkruan sot se pasditen e së shtunës, në kohën kur në Gjykatën e Tiranës do të jepej masa e sigurisë për Ymerin, të gjithë u surprizuan kur konstatuan se avokati i tij ishte Saimir Visha dhe jo Gentian Romana.

Por burime nga grupi hetimor thanë se për shkak të shkeljeve procedurale që ka kryer i dyshuari ditën kur ndodhi ngjarja, nuk ishte e pranueshme që ai të përfaqësohej në gjyq nga avokati Romana.

Sipas Policisë, ditën e krimit të dyfishtë në Selitë, Ymeri ka kontaktuar fillimisht me avokatin e tij, duke e vënë në dijeni për atë çfarë kishte ndodhur. Pasi është këshilluar me të, atëherë i ka telefonuar Policisë në numrin 129, duke u thënë se kishte vrarë dy grabitës brenda në shtëpinë e tij.

JA 7 DYSHIMET E PROKURORISË MBI NGJARJEN
Katër ditë pas vrasjes së dy të rinjve pranë banesës dy-katëshe në pronësi të 45-vjeçarit Flamur Ymeri, në zonën e Selitës në Tiranë, prokuroria duket se ka ende pikëpyetje të hapura për rrethanat e ngjarjes. Edhe pas dëshmive të marra ndaj të dyshuarit kryesor për vrasjen e shtetasve Adnan Luli dhe Ervin Shaba, si dhe bashkëshortes së tij Entela Ymeri, Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron se ka deklarata kontradiktore që nuk përputhen me dëshmitë e dhëna dhe me provat e gjetura në vendngjarje.
Pikëpyetjet e prokurorisë
1. Janë gjetur dhe fiksuar një gëzhojë dhe predha të cilat, nga dyshimet paraprake nuk i përkasin kalibrit të asnjërës prej dy armëve të gjetura dhe sekuestruara në vendngjarje.
2. Në vendin e ngjarjes është realizuar qitje edhe me armë të tjera, që Flamur Ymeri ka deklaruar se i ka hedhur në oborr. Por nga këqyrja e vendit të ngjarjes (oborrit, shtëpisë dhe zonës përreth) nuk është gjetur asnjë armë tjetër.
3. Armët dyshohet të jenë larguar nga vendi i ngjarjes para mbërritjes se policisë pasi kanë qenë të disponuara pa leje nga autori.
4. Krijohet dyshimi i bazuar se shtetasi Flamur Ymeri i ka qëlluar autorët edhe pasi këta të fundit nuk kanë pasur më mundësi të reagojnë
5. Bashkëshortja e Ymerit ka deklaruar se ka dëgjuar 3-4 krisma armësh, ndërsa 11 dëshmitarë të tjerë pranë vendit të ngjarjes pretendojnë se nuk kanë dëgjuar krisma
6. Nga këqyrja e telefonit rezulton se Flamur Ymeri ka dërguar në orën 08:26 një SMS te numri i telefonit të regjistruar me emrin B… me tekst “Jam Flamur Ymeri po më vrasin në shtëpi tek Centrali”, dhe në orën 08:28 i ka dërguar përsëri SMS këtij numri me tekst “lajmëro shpejt B….”. Shtetasi M.S., i cili ishte personi që mbante numrin e telefonit me shkrimin B… u pyet me deklarim dhe sqaron se rreth orës 09:00 e ka marrë në telefon Flamur Ymeri dhe i ka thënë se kam vrarë dy shtetas dhe të kam dërguar mesazh.
7. Pasi ka vrarë dy personat, Flamur Ymeri thotë se ka marrë katër armë dhe ka dalë në oborr ku edhe është gjetur nga policia, por me vetëm dy armë në dorë. Pasi ka mbledhur armët dhe sqaron se ka pasur 4 armë në momentin që ka zbritur në oborrin e shtëpisë, dy prej te cilave i kishte hedhur në oborr ndërsa dy te tjerat po i mbante në dorë në momentin që ka shkuar patrulla e policisë. Patrulla e policisë ia ka marrë dy armët që mbante Flamuri në dorë, ndërsa dy armët e tjera për të cilat Flamuri pretendon se janë hedhur në oborr nuk u gjetën edhe pse koha e mbërritjes së policisë ka qenë e shpejtë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: