TIRANE-Pronari i vilës 2-katëshe ku mbetën të vrarë dy persona në Selitë javën që kaloi, ka pasur një konflikt së paku prej dy vitesh me familjen e njërit prej viktimave.

Flamur Ymeri, i zoti i banesës ku u vranë shtetasit Adnan Luli dhe Ervin Shaba, ka pasur një mosmarrëveshje për 265 mijë euro me xhaxhain e këtij të fundit. Bëhet fjalë për një konflikt mes 45- vjeçarit Flamur Ymeri dhe shtetasit D.Shaba, xhaxhai i të riut të vrarë Ervin Shaba. Lajmi publikohet sot tek e perditshmja, ‘Panorama’.

Xhaxhai i këtij të fundit në datën 3 dhjetor 2011 kishte firmosur një deklaratë noteriale, ku pranonte një detyrim në vlerën e 265 mijë eurove ndaj shtetasit Flamur Ymeri. Në këtë deklaratë, theksohej se afati i shlyerjes së borxhit ishte 5 marsi i vitit 2012. Në këtë kohë ka nisur edhe konflikti, pasi për shkak të moskthimit të parave pronari i vilës 2-katëshe ku ndodhën vrasjet në Selitë, shtetasi Flamur Ymeri ka bërë padi në Gjykatë, ku kërkonte vendosjen në zbatim të kontratës së borxhit me qëllim shlyerjen e saj.
NGJARJA
Burime nga Policia e Tiranës thanë se mëngjesin e së mërkurës ka qenë vetë 45- vjeçari Ymeri që ka telefonuar në sallën operative dhe ka deklaruar se kishte qëlluar për vdekje dy persona që kishin hyrë për të vjedhur në shtëpinë e tij. Ai i ka treguar adresën efektivit që i është përgjigjur në numrin 129 dhe i ka kërkuar që në shtëpinë e tij të shkonin shërbimet e policisë. Por gjatë bisedës së parë me oficerin e policisë, ai në asnjë moment nuk i kishte treguar se kishte kontaktuar më parë me avokatin, edhe pse ishte pyetur nëse ishte dikush tjetër në dijeni për ngjarjen. Burimet thanë se në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit Nr. 2, si dhe oficerë të Krimeve të Rënda. Në banesën dykatëshe të familjes Ymeri, që ndodhet pranë nënstacionit të Selitës, janë konstatuar dy persona të pajetë, të cilët ishin të maskuar. Njëri nga viktimat është gjetur në derën e dhomës së gjumit, në katin e dytë, ndërsa tjetri përballë saj, pranë shkallëve që lidhin dy katet e shtëpisë. Për disa orë autorët nuk janë identifikuar nga policia, ndërsa rreth orës 12:00, është bërë i mundur zbulimi i identitetit të tyre. Sipas Policisë, të dyshuarit si autorë të tentativës së grabitjes, që mbetën të vrarë nga pronari i shtëpisë, janë dy të rinjtë, Adnan Luli, 22 vjeç dhe Ervin Shaba, 26 vjeç.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: