Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Julian Gjoshit, i dyshuar si autor i vrasjes së Alfred Dedjas në një lokal në Ndroq. Ndërsa urdhëroi që ai të nënshtrohet një aktekspertimi psikiastrik, pasi mbrojtja e tij ka pretenduar se është përdorues droge dhe ndiqet nga një psikiatër.

Në seancë është pretenduar se varësia nga droga dhe përdorimi ka ndikuar në aftësitë e tij psikike, ndaj për këtë shkak avokati ka kërkuar si masë atë të shtrimit të detyruar në spital.

Julian Gjoshi kunati i të shumëkërkuarit Altin Hajri për zhdukjen dhe rrëmbimin e Jan Prengës u vetëdorëzua në polici, një ditë pas ekzekutimit të Dedjas. Ndaj tij rëndojnë dyshimet për akuzat e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

Policia deri në këto momente nuk e ka gjetur armën e krimit, për të cilën Gjoshi ka deklaruar se e ka hedhur në një shkurre. Nga ana tjetër, motivi i vrasjes mbetet i paqartë, ndonëse Juliam Gjoshi pretendon se e qëlloi Dedjan në lokal pasi ai e shante tek persona të tjerë.

Emri i Gjoshit është i njohur për drejtësinë, pasi në 2021 ishte arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe kunati i tij i shumëkërkuari Altin Hajri kërkonte nga ish-deputeti socialist Jurgis Cyrbja që të ndërhynte për ta liruar si dhe të dëmtohej pistoleta që ai t’ia hidhte dënimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb