Ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër 15-vjeçari Klodian Kolbuçaj, i cili akuzohet për plagosjen e rëndë me pasojë vdekjen të bashkëmoshatarit të tij Emiljano Gjoni.
Autori i dyshuar do të njihet me masën e sigurisë nga gjykata ditën e sotme.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 14 tetorit në zonën e ish-Fermentimit në Shkodër. Mësohet se 15-vjeçari është qëlluar vetëm një herë me thikë në zemër ndërsa ka pësuar hemorragji duke e bërë të pamundur shpëtimin e tij në Spitalin Rajonal të Shkodrës pasi u dërgua nga një qytetar i rastësishëm.
Viktima dhe autori frekuentonin të njëjtën shkollë, teksa ishin në vitin e parë në shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër. Ajo që dyshon policia është se dy të miturit mund të kenë pasur konflikt të mëparshëm duke qenë se ishin në të njëjtën shkollë, konflikt i cili përfundoi më pas me ngjarjen fatale. Kolbuçaj ka deklaruar se viktima e ka goditur me thikë në sup dhe për t’u vetëmbrojtur, thikën e cila ka rënë në tokë e ka marrë dhe më pas e ka qëlluar sipas tij me idenë për ta plagosur.