AUSTRI- Lajmi i shqiptarit nga Kosova që të dielën vrau një boshnjak në Vjenë dhe më pas u dorëzua në polici, vazhdon të jetë në qendër të kronikave të mediave austriake.

Sipas tyre, shqiptari 26-vjeçar ka deklaruar gjatë marrjes së pyetje se nuk ka pasur si qëllim të vriste mikun e tij boshnjak.

“Ai më qëlloi me grushte. Unë kam dashur vetëm ta godisja me revole në kokë por papritmas arma është shkrepur”, shkruan orf.at.

Sipas një dëshmitari, autori dhe viktima kishin qenë së bashku në kafen “Blanco” ku kishin biseduar miqësisht dhe pa probleme. Por vetëm pasi kanë dalë nga lokali, ka shpërthyer zënka mes tyre. Ai beson se shkak për këtë konflikt ka qenë një femër që kanë njohur të dy. Sipas tij, ka qenë boshnjaku ai që e ka goditur me shuplakë kosovarin, raporton albinfo.ch.

Po ashtu boshnjaku i ka drejtuar atij sprain djegës por nuk e ka qëlluar. Si përgjigje, kosovari i cili ka punuar si truprojë në një diskotekë e ka goditur me tytën e armës por ajo është shkrepur dhe ka ndodhur vrasja.

Sipas avokatit të kosovarit, vetë sjellja e tij pas krimit flet në të mirë të klientit të tij. Pra ai është paraqitur në polici dhe ka pranuar aktin e kryer. Veç kësaj shenjat e lëndimeve të pësuara në fytyrë tregojnë se ai është sulmuar. Për më tepër, policia ka njoftuar autoambulancën pasi kosovari ankohej nga dhimbje koke, si pasojë e goditjeve me grushte që kishte pësuar.

Sidoqoftë, prokuroria po zhvillon hetimet për vrasje të rëndë. Lidhur me caktimin e paraburgimit do të vendosë Gjykata e Landit të Vjenës, të mërkurën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: