Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Bledar Toçin. Ky i fundit akuzohet për vrasjen e Ditan Haxhollit, në banesën e 30-vjeçares Marsida Qatja, në Kavajë.

Vendimi “arrest me burg” për Toçin, që ishte shef i sigurisë së burgut të Durrësit, është marrë nga Gjykata e Kavajës, pas ngjarjes së rëndë, që tronditi opinionin publik.

NGJARJA:

“Në Kavajë në datën 10.10.2019 ne orën 00.40 në Komisariatin e Policisë është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në lagjen nr. 2 të qytetit të Kavajës.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e policisë dhe kanë konstatuar se në banesën e shtetases Marsida Qatja, 30 vjeç, lindur e banuese në lagjen nr .1 Kavajë, e martuar me shtetësi e kombësi shqiptare, me gjendje gjyqësore e pa dënuar është gjetur i vrarë me armë zjarri shtetasi Dritan Haxholli, 41 vjeç, i divorcuar, me gjendje gjyqësore i dënuar për krime kundër personit dhe për lëndë narkotike.

Gjithashtu në këtë ngjarje ka mbetur i plagosur me arme zjarri edhe autor i dyshuar i vrasjes shtetasi Bledar Toçi, 31 vjeç, lindur e banues në lagjen nr. 2 Kavajë, beqar, me arsim të lartë me detyrë Shef i Sigurisë së Brendshme pranë burgut të Durrësit, i cili është dërguar për mjekim pasi ka marrë një plumb në pjesën e qafës dhe ndodhet me masa sigurie në spitalin rajonal Durres ku është jashtë rreziku për jetën.

Nga veprimet hetimore te kryera ka rezultuar se shtetasja Marsida Qatja ka deklaruar se prej kohësh ka pasur marrëdhënie me shtetasin Dritan Haxholli, marrëdhënie e cila sipas deklarimit të saj ka kohë që është ndërprerë por pavarësisht ndërprerjes se marrëdhënies muajin e fundit shtetasi Dritan Haxholli ka shkuar disa herë tek banesa e saj dhe ka insistuar për të kryer marrëdhënie me të.

Shtetasja Marsida Qatja ka refuzuar shtetasin Dritan Haxholli, i cili pas refuzimit e ka shqetësuar përsëri atë dhe duke u ndjerë e shqetësuar nga shtetasi Dritan Haxholli, kjo shtetase këtë shqetësim ia ka bërë të njohur shtetasit Bledar Toci paraditen e datës 09.10.2019, i cili i ka deklaruar asaj se këtë problem do ta zgjidhte ai me Dritanin.
Në mbrëmjen e datës 09.10.2019 shtetasi Bledar Toci ka shkuar në banesën e shtetases dhe ka qëndruar së bashku me të, në prani edhe të dy shtetasve të tjerë miq e fqinj të gruas.

Rreth orës 23 e 30 tek banesa e shtetases Marsida Qatja ka shkuar shtetasi Dritan Haxholli, i cili ka pasur me vete edhe një arme zjarri automatik dhe me qytën e armës ka goditur dritaren e kuzhinës së banesës së shtetases Marsida Qatja (banesa në katin e parë të pallatit).

Pas këtij fakti shtetasja Marsida Qatja ka komunikuar me viktimën duke i thënë që të vinte brenda për t’u sqaruar dhe në vijim ajo ka hapur derën e banesës së saj dhe në këto momente është futur në derë me armë në dorë dhe ka konstatuar se në banesë ndodhej shtetasi Bledar Toçi, shtetasi Dritan Haxholli ka qëlluar me armë në drejtim të tij duke plagosur atë ku në këto momente shtetasi Bledar Toci ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë që kishte me vete dhe ka shkëmbyer zjarr me shtetasin Dritan Haxholli i cili ka mbetur i vdekur”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb