TIRANE- Një i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy personave, është ekstraduar mëngjesin e sotëm nga Athina drejt Tiranës. Ekstradimi i shtetasit Perikli Marku, 53 vjeç, lindur në Shkodër, u bë nga Interpol Tirana për një ngjarje të ndodhur në vitin 2000.

53-vjeçari ka vrarë me armë zjarri (automatik) shtetasit B.A dhe B.Z, më datë 06 tetor 2000, rreth orës 15:00 në vendin e quajtur Lagjja e Spitalit, në Lezhë.

“Shtetasi Perikli Marku është dënuar me burgim të përjetshëm, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin penal nr.39 datë 20.05.2002 për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal Shqiptar, dhe Gjykata e Lartë e ka dënuar me 16 vjet dhe 8 muaj në burg, për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 79 dhe 278 të Kodit Penal Shqiptar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij.

Pas ekstradimit, 53-vjeçari Marku iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: