Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar shtetasin Luçian Mhilli, 21 vjeç i dyshuar si bashkëpunëtor kryesor në vrasjen e shtetasit Valter Fierza e ndodhur afërsisht një vit më parë më 21 shtator të 2023-shit në fshatin Hot i Ri.
Për 21 vjeçarin Mhilli që ra në pranga e policisë, gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. 21-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij, të vënë edhe ata në pranga nga policia, ka vrarë shtetasin Valter Fierza, 33 vjeç.
Gazetari Senad Nikshiqi raporton për Balkanweb se ndërkohë më 8 shtator të këtij viti policia arrestoi edhe shtetasin Enton Dushaj, 39 vjeç i dyshuar si përkrahës i autorit në vrasjen e 33 vjeçarit Fierza. Deri tani, për këtë rast, Policia ka vënë në pranga 4 shtetas dhe vijon punën për ndalimin e shtetasit të fundit të shpallur në kërkim, shtetasit Aleksandër Mhilli.
Përpara Luçian Mhillit që u arrestua së fundmi, policia më herët ka arrestuar edhe shtetasin Paulo Mhilli dhe Klodian Mhilli, të dyshuar për vrasjen e Valter Fierzës. Edhe Aleksandër Mhilli është në kërkim nga policia për të njëjtat vepra penale, “vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim. Viktima humbi jetën mbrëmjen e 21 shtatorit të vitit të kaluar kur kishte ditëlindjen. Fierza dyshohet se u vra nga komshinjtë e tij në fshatin Hot i Ri të njësisë Rrethina. Ndaj 33 vjeçarit autorët qëlluan me automatik kallashnikov nga këta persona të identifikuar dhe arrestuar nga policia. I gjithë konflikti nisi mes vëllait të viktimës Kolë Fierza dhe njërit prej autorve të dyshuar të vrasjes Klodian Mhilli.
Këta dy persona kanë debatuar me njëri-tjetrin për parkimin e një automjeti në lagje. Vëllai i viktimës i ka thënë autorit të dyshuar se më ke bllokuar rrugën duke u konfliktuar tek lokali që shërbente edhe si bilardo dhe ka kërkuar që të lirohet rruga duke qenë se kishte edhe ditëlindjen e vëllait dhe duhej që të kalonin automjete të tjera. Pas debatit është afruar më një automjet shtetasi Valter Fierza dhe në ato çaste Klodian Mhilli dyshohet se ka qëlluar me automatik duke e lënë të vdekur në vend komshiun e tij. Policia ka sekuestruar një pistoletë dhe 3 gëzhoja në vendngjarje që dyshohet se i përkasin autorit si dhe sasi lënde narkotike kanabis sativa në trajtë boçeje, që dyshohet se posedohej nga 5 shtetasit. Viktima dhe autori i dyshuar janë komshinj prej shumë vitesh dhe njiheshin me njëri-tjetrin. Tashmë vijojnë që të jetë në kërkim për këtë ngjarje të rëndë vetëm njëri prej autorve të dyshuar, shtetasi Aleksandër Mhilli. Ndërkohë policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së Valter Fierzës.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Si rezultat i kërkimeve dhe punës së inteligjencës policore, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 21-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e shtetasit V. F., kryer pas një konflikti të çastit, në fshatin Hot i Ri, rreth 1 vit më parë.
Deri tani, për këtë rast, Policia ka vënë në pranga 4 shtetas dhe vijon punën për ndalimin e shtetasit të fundit të shpallur në kërkim.
Në vijim të punës për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, në lidhje me vrasjen e shtetasit V. F., kryer pas një konflikti të çastit, në afërsi të një lokali në fshatin Hot i Ri, më datë më 21.09.2023, Sektori për Krimet e Rënda dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin L. M., 21 vjeç, banues në Shkodër.
Për të, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. 21-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij, të vënë në pranga nga Policia, ka vrarë shtetasin V. F., 33 vjeç.
Në lidhje me këtë rast, Policia ka vënë në pranga dhe shtetasin E. D., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe po punon për kapjen e shtetasit A. M., të kërkuar për të njëjtat vepra penale.
Pas ngjarjes, nga kontrollet në lokalin në afërsi të vendit ku u krye vrasja, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike cannabis sativa, në trajtë boçeje, që dyshohet se posedohej nga 5 shtetasit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
(Balkanweb)