Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja e kosovares në Winterlingen të Gjermanisë, krim për të cilin akuzohet burri i saj. Dugi G. 48 vjeç dyshohet se e ka vrarë bashkëshorten e tij kosovare Mervete G., 41 vjeçe. Katër fëmijët e përbashkët të çiftit (6, 8, 12 dhe 17-vjeç), tashmë nuk kanë nënë, ndërsa babai i tyre është në paraburgim.

Pak pas orës 19.00, shumë dëshmitarë lajmëruan policisë, se në banesën e familjes në fjalë kishin dëgjuar të shtëna. Në vendngjarje shkuan katër patrulla policore. Para ndërtesës ka qëndruar Dugi G. me duar të ngritura lart, duke u arrestuar pa dhënë ndonjë rezistencë. Një zëdhënës i policisë ka deklaruar për “Bild”: “Në banesë kemi gjetur bashkëshorten e vdekur të shtrirë përtoke. Vajza shtatëmbëdhjetëvjeçare ka pësuar lëndime të lehta”.

Policia dyshon se Dugi G. me pistoletë ka qëlluar me disa plumba në drejtim të gruas së tij. Arma i është sekuestruar, transmeton Albinfo.ch. Ajo që është më e keqja: Të katër fëmijët gjatë krimit kanë qenë në banesë. Kryebashkiaku Michael Maier (53, CDU) pohon: “Fëmijët menjëherë janë përkujdesur nga Kryqi i Kuq, ndërsa tani janë nën përkujdesje të familjarëve”. Një mik i familjes: “Gjyshërit kanë ardhur nga Zvicra për t’u përkujdesur për fëmijët”. Komisioni për krime të rënda do të duhet të qartësojë se si ka ardhur deri te ky krim makabër. Një fqinj i tyre ka theksuar: “Bashkëshortja donte të ndahej nga burri i saj”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb