Gjykata e Tiranës lë në burg Gjergj Cukalin, të arrestuar për vrasjen e ish-policit, Arben Bilali në Tiranë. I ashtuquajturi “i forti” Myslym Shyrit, u prangos dy ditë më parë, ndërsa sipas burimeve prokuroria ka prova shkencore që vërtetojnë fajësinë e tij.

Për rreth dy orë Gjykata e Tiranës ka dëgjuar pretendimet e palëve dhe në fund vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Cukalit dhe caktoi ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg” pa afat. Gjatë seancës, mësohet se Cukali nuk ka folur, ndërsa prokuroria provën më të fortë ka pasur ADN-në e gjetur.

ARRESTIMI
Mëngjesin e djeshëm Policia e Tiranës njoftoi se ka bërë të mundur arrestimin e Gjergj Cukalit, i akuzuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes me paramendim. Hetuesit pretendojnë se kanë prova të forta që vërtetojnë përfshirjen e tij në vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilali me 30 janar 2019.

KUSH ESHTE GJERGJ CUKALI
Gjergj Cukali është një personazh mjaft i njohur në botën e krimit. Akuzat që rëndojnë mbi të janë të shumta, duke filluar nga pengmarrjet, armëmbajtjet pa leje dhe shpërndarje droge. Për herë të fundit ai u arrestua në 12 Prill 2018, pasi kishte shkelur masën e sigurisë, “arrest shtëpie”.

Në vitin 2004, ai ka qenë i akuzuar për pengmarrje. Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit F.D., ngjarje e ndodhur në vitin 2004.

Ndërkohë në korrik të 2016, ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Tangent”, ku Cukali ishte drejtuesi i një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.

Gjergji Cukali, i njohur si “i forti i Myslym Shyrit”, kishte edhe një identitet tjetër, gjë që iu zbulua menjëherë pas arrestimit në vitin 2016. Ai përdorte edhe identitetin e Ergi Hoxhës. Pasaporta biometrike, karta e identitetit dhe patenta me të njëjtin emër, iu sekuestruan nga policia, e cila ndaj Cukalit kishte ngritur edhe akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Pas një viti qëndrimi në burg, Gjergji Cukali arrin që të dalë sërish. Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit duke vendosur masë sigurie “arrest shtëpie”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumenton se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuante nga astma bronkiale dhe kishte kriza të shpeshta.

Por një vit më vonë, në 2018 me sa duket Gjergj Cukali nuk qëndron dot larg telasheve. Ai arrestohet sërish për thyerjen e masës së sigurisë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb