Gjykata e Lartë ka marrë sot vendimin për të lënë në fuqi vendimin për dënimin e Dritan Dajtit me burgim të përjetshëm.
GJL ka lënë kështu në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke rrëzuar atë të apelit që e dënonte Dajtin me 25 vite heqje lirie.
Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.
Dritan Dajti do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë teksa akuzohet për vrasjen e efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, ngjarje e shënuar më 7 gusht të vitit 2009, në Durrës, gjatë një operacioni për arrestimin e tij.
Dritan Dajti u dënua fillimisht me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë së Tiranës për veprën penale të vrasjes së biznesmenit Agim Beqa, në vitin 1999. Viktima kishte nisur ndërtimin e një pallati por ai ishte konfliktuar me disa persona.
Ditën kur do të niste gjyqi ndaj tjj, Dritan Dajti u arratis në mënyrë spektakolare nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës, më 17 nëntor 2003. Ai mori një pistoletë në tualetin e gjykatës, e vendosur më parë nga miqtë e tij. Me këtë pistoletë, iu drejtua policëve të togës, që kishin për detyrë ta ruanin dhe qëlloi disa herë në ajër.
(BalkanWeb)