Luigi Mangione i dyshuar për vrasjen e drejtuesit ekzekutiv të kompanisë së sigurime shëndetësore ‘UnitedHealth Group’, Brian Thompson, u akuzua të enjten nga në një sallë gjyqi në Manhatan për vrasje dhe përndjekje. Ndaj tij rëndojnë gjithashtu akuza në nivel shtetëror për vrasje dhe terrorizëm, të njoftuara më parë nga prokurorët e Nju Jorkut.

Sipas aktpadisë penale prokurorët federalë në Manhatan kanë akuzuar 26 vjeçarin për vrasje me armë zjarri, dy akuza për përndjekje dhe një akuzë për përdorimin e një arme me silenciator. Po kështu Luigi Mangione akuzohet se ka planifikuar prej muajsh vrasjen nxitur nga urrejtja për industrinë e sigurimeve shëndetësore dhe drejtuesit e pasur të korporatave.

Luigi Mangione u dërgua në mjediset e paraburgimit të policisë së qytetit të Nju Jorkut më herët të enjten, nga Pensilvania, shteti ku u arrestua pas një operacioni pesëditor për kapjen e tij. Ai zbriti nga një helikopter shoqëruar nga një grup i madh policësh. I pranishëm ishte dhe kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams, i cili e ka quajtur vrasjen e zotit Thompson ‘mizori’.

Sipas aktpadisë federale, policia e Altonës në Pensilvani ka gjetur një bllok që dyshohet ta kishte Luigi Mangione, i cili përmban disa faqe të shkruara me dorë “ku shprehet zemërimi ndaj industrisë së sigurimeve shëndetësore dhe drejtuesve pasur të saj, në veçanti”.

Policia i gjeti të dyshuarit edhe një letër drejtuar “agjentëve federalë” ku thuhej: “Nuk kam punuar me askënd”, sipas aktpadisë. Në fillim të kësaj jave, një juri e madhe në Nju Jork ngriti padi ndaj 26 vjeçarit me 11 akuza për shkelje të ligjit të shtetit, përfshirë vrasje të shkallës së parë dhe vrasje si një akt terrorizmi, të cilat mund të marrin dënimin maksimal me burgim të përjetshëm.

Luigi Mangione ka qenë në paraburgim që nga arrestimi i tij dhe nuk është deklaruar fajtor ose jo. Avokatja mbrojtëse e tij nga Nju Jorku, Karen Friedman Agnifilo, ka thënë se autoritetet e kanë akuzuar atë për krime më të rënda sesa faktet tregojnë dhe se ai do ta kundërshtojë çështjen në gjykatë.

Luigi Mangione u arrestua në Altona më 9 dhjetor, pesë ditë pasi zoti Thompson u qëllua për vdekje me armë zjarri jashtë një hoteli në Manhatan, përpara një konference të kompanisë. Zyrtarët e zbatimit të ligjit e kanë quajtur aktin, një atentat të paramenduar.

Ndërsa vrasja e zotit Thompson është dënuar gjerësisht, Luigi Mangione është vlerësuar si një hero popullor nga disa amerikanë, të cilët dënojnë kostot e larta të kujdesit shëndetësor dhe fuqinë që kanë kompanitë e sigurimeve, për të mohuar pagesat për disa trajtime mjekësore. Prokurorët federalë mund të kërkojnë dënimin me vdekje për akuzën federale të vrasjes, një dënim që është hequr në shtetin e Nju Jorkut prej dekadash.

Prokurorët thonë se Luigi Mangione udhëtoi me autobus nga Atlanta për në Nju Jork përpara vrasjes së zotit Thompson dhe gjithashtu përdori celularin dhe internetin për të planifikuar dhe kryer sulmin e tij, ndaj ata kanë juridiksion mbi çështjen.

Avokatja e tij i tha gjykatës se i dyshuari nuk do të kërkonte të lirohej me kusht dhe gjykatësja Katharine Parker urdhëroi që ai të qëndronte në paraburgim. Atij do t’i kërkohet të deklarohet nëse është ose jo fajtor në një seancën e radhës.

Zonja Friedman Agnifilo tha gjatë një deklarate përpara seancës dëgjimore të së enjtes se klienti i saj rrezikon të gjykohet dy herë për të njëjtat akuza, pa harruar se ai është akuzuar për krime më të rënda sesa dëshmojnë faktet. “Ne jemi të gatshëm t’u kundërvihemi atyre në çdo gjykatë që ato do të ngrihen”, tha ajo.

Në Pensilvani, policia tha se në momentin e arrestimit, në një restorant ‘McDonald’s, Luigi Mangione kishte një pistoletë të montuar vetë në çantën e shpinës dhe një silenciator të bërë vetë. Pistoleta thanë autoritetet i ngjante armës së përdorur për të vrarë zotin Thompson.

Luigi Mangione, nga shteti i Merilendit e që kishte jetuar në Havai kishte gjithashtu dokumente të shumta identifikimi të falsifikuara, përfshirë një dokument të faksifikuar të Nju Xhersit, që ishte përdorur për të fjetur në një hotel në Manhatan, disa ditë përpara vrasjes së zotit Thompson. Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, e ka akuzuar Luigi Mangionen për terrorizëm sipas ligjeve të Nju Jorkut, sepse vrasja e zotit Thompson thonë autoritetet, kishte për qëllim të frikësonte civilët ose “të ndikonte tek politikat e një njësie të qeverisë”./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: