SARANDË
40-vjeçari Admir Beqiri që vrau pasditen e së dielës 62-vjeçarin Gëzim Bizgjoni akuzohet dhe për një tjetër vepër penale.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve të kryera për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në fshatin Gjashtë, arrestoi shtetasin Admir Beqiri, 40 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me shishe qelqi shtetasin Gëzim Bizgjoni, 62 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve humbi jetën. Gjithashtu, shtetasi A. B. dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, shtetases E. K., banuese në fshatin Gjashtë.
Mësohet se gruaja është dhunuar gjatë kohës që Beqiri konfliktohej me Bizgjonin. Më pas ajo u largua nga vendi i ngjarjes nga frika.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Dhuna në familje”.