NGA: KLODJANA HAXHIAJ
KAVAJE- 28-vjeçari ismet Xhani, babi i një fëmije të mitur mbeti i vrarë për një plep të prerë në fshatin Luz, ndërsa si autor i ngjarjes u akuzua Xhavit Saraçi, 56 vjeç , fqinj i tij. Seanca gjyqësore e cila përkonte me vendimin e gjykatës së Kavajës u shty, për shkak të mungesës së autorit i cili e ka pranuar krimin e kryer.

Të dy familjet, ajo e autorit dhe e viktimës, janë kushërinj me njëra-tjetrën, ndërsa janë përplasur disa herë në gjykatën e Kavajës. Babi i viktimës kërkon dënimin maksimal për autorin, duke treguar se si ju vra djali 28-vjeçar, i cili i ka lënë pas një fëmijë të vogël. Nga ana tjetër ai i ka bërë një apel shtetit, pasi nipi i tij që po rritet pa baba nuk ka asnjë ndihmë. “Duam që shteti t’i lidh një pension djalit”, thotë ai.

Ndërkohë, Prokuroria e Kavajës ka kërkuar “Burgim të përjetshëm” për autorin. Në krahun tjetër janë dy motrat e autorit, ato të cilat deklarojnë se hetimet nuk janë kryer siç duhet. “Vrasja ka ardhur pasi viktima i cili është kushëriri jonë e ka qëlluar me një dru plepi në kokë vëllain. “Tani që vëllai im ra në burg, gruaja dhe fëmijët e tij janë larguar nga shtëpia nga frika e hakmarrjes”, deklaroi Ardiana Buzi.

NGJARJA
Në datën 4 janar thotë prokuroria, viktima dhe një kushëriri i tij po prisnin një plep në fshatin Luz i madh në Kavajë ku edhe banonin. Në atë moment pranë tyre është afruar autori Xhevat Saraçi, i cili fillimisht ka kërkuar mos ta prisnin pemën dhe më pas ka shtuar që dy bashkëfshatarët e tij mos t’i hidhnin degët në tokën e tij. Ndërsa i afërmi i viktimës Mario Xhani këmbëngul se plepi ka qenë molla e sherrit, vrasësi i cili është shfaqur i penduar ka rrëfyer në Gjykatë se ka humbur qetësinë pasi dy bashkëfshatarët e tij e kishin ofenduar. Prokuroria shpjegon në pretencë se gjatë kohës që viktima dhe Mario Xhani po kalonin me karrocën e ngarkuar me dru në rrugën kryesore të lagjes, autori ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: