Kombet e Bashkuara bënë thirrje për shtensionimin e situatës në veriperëndim të Sirisë, pasi luftimet midis forcave qeveritare dhe opozitare atje lanë dhjetëra civilë të vrarë ose të plagosur. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, iu bëri thirrje të gjitha palëve që t’i kthehen armëpushimit, i cili mbulon pjesë të kontrolluara nga opozita në provincat Idlib, Alepo dhe Hama.

Aktivistët thanë se 43 luftëtarë dhe pesë civilë u vranë vetëm të hënën. Zyra e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se së paku 27 civilë u vranë dhe 31 u plagosën që nga 29 prilli, përfshirë shumë gra dhe fëmijë. Dy struktura mjekësore gjithashtu thuhet se u dëmtuan nga sulmet ajrore.

Idlibi, Hama veriore dhe Alepo perëndimore janë bastioni i fundit i opozitës në Siri, pas tetë vjetësh të luftës civile. Shtatorin e kaluar, për këtë rajon është arritur një armëpushim, i ndërmjetësuar nga Rusia, e cila mbështet forcat e presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe Turqia, e cila mbështet opozitën. Armëpushimi ka mbrojtur rreth 2.7 milionë civilë që jetojnë atje nga ofensivat e qeverisë.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb