Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua të mërkurën me Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Vuçiq shkroi në profilin e tij në Instagram se ishte një “shkëmbim frymëzues i ideve” dhe se ia tregoi Kushnerit Beogradin dhe “shpjegoi disa nga planet për rritjen edhe më të shpejtë të tij”.

Ai shtoi se Kushner i prezantoi atij një projekt për një “hotel madhështor në Beograd, i cili do të kontribuojë që kryeqyteti ynë të bëhet qendra e kësaj pjese të botës, e cila do të pozicionohet në hartën globale si një destinacion i pashmangshëm dhe seli e dëshirueshme për korporatat, universitetet dhe institucionet më të mëdha ndërkombëtare, por edhe një frymëzim për artistët, shkencëtarët dhe, mbi të gjitha, për të rinjtë nga e gjithë bota”.

Më 15 maj, Serbia e nënshkroi një marrëveshje për rivitalizimin e kompleksit të ish-Sekretariatit Federal për Mbrojtjen Kombëtare me kompaninë “Affinity Global Development”, e cila udhëhiqet nga Jared Kushner.

Kështu, Serbia e ka marrë me qira këtë tokë për 99 vjet.

Kompania e Kushnerit planifikon të ndërtojë një kompleks biznesi-banesor në vendin e ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd..

Gazeta New York Times raportoi më 18 mars se investimi kap vlerën e 500 milionë dollarëve dhe se, sipas kontratës së propozuar, shteti i Serbisë duhet të marrë 22 për qind të fitimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: