Duke intensifikuar bashkëpunimin me Hungarinë, presidenti i Serbisë  Aleksandar Vuçiç shpreh dëshirën për krijimin e një aleance apo pakti ushtarak.

Pas Vuçiçit, edhe presidenti i Republikës Sërpska (RS) të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, paralajmëroi se ky entitet i Bosnje dhe Hercegovinës do të kërkojë të përfshihet në një marrëveshje ushtarake dhe të sigurisë me Serbinë dhe Hungarinë.

Zyrtarët hungarezë nuk i kanë komentuar këto qëllime të Beogradit dhe Banjallukës, ndonëse Hungaria është tashmë anëtare e një aleance ushtarake, NATO-s.

Në Beograd, ministrat e Mbrojtjes së Serbisë dhe Hungarisë, Bratislav Gashiç dhe Kristof Szalay-Bobrovniczky, më 1 prill nënshkruan Planin e bashkëpunimit ushtarak bilateral mes ministrive të tyre për vitin 2025.

Pas nënshkrimit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se beson që marrëveshja për aktivitetet e përbashkëta do të vazhdojë me afrimin e mëtejshëm dhe krijimin e një aleance apo pakti ushtarak midis Serbisë dhe Hungarisë.

Ky dokument konkretizon Marrëveshjen për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes midis dy vendeve, të arritur në vitin 2023.

Qeveria hungareze, e drejtuar nga Viktor Orban, prej vitesh është aleate e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, brenda Bashkimit Evropian, ku Hungaria është anëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb