SERBI- Qeveria serbe zhvilloi dje në mbrëmje një sesion special në Beograd pas sulmit kundër kryeministrit Aleksandar Vuçiç dhe delegacionit të tij në ceremoninë për 20-vjetorin e viktimave të krimit në Srebrenicë, zhvilluar në Potocari.

Pas takimit, kryeministri Vuçiç iu drejtua medias duke theksuar se familjet e viktimave të pafajshme nuk kishin të bënin me këtë sulm.

”Unë do të vazhdoj të ndjek politikën e pajtimit”, deklaroi Vuçiç.

”Incidenti gjatë të cilit kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç u godit me gurë në ndërkohë të zhvillimit të ceremonisë për 20-vjetorin e masakrës së Srebrenicës përbën një sulm kundër gjithë Serbisë”, deklaroi dje shefi i diplomacisë i vendit ballkanik.

“Kryeministri u soll si burrë shteti kur vendosi të përulej përpara viktimave”, deklaroi Daçiç.

”Ky është një sulm jo vetëm kundër Vuçiçit, por kundër gjithë Serbisë dhe politikës së saj të paqes dhe të bashkëpunimit rajonal”, theksoi ai me anë të një komunikate.

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç u godit në kokë dje nga një gur i hedhur nga pjesëmarrësit në ceremoninë për 20-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, duke e detyruar të largohej nga vendi i ngjarjes, i kërrusur, i fërshëllyer nga turma dhe i rrethuar nga truprojat.

Delegacioni i kryesuar nga Aleksandar Vuçiç la ceremoninë pas një sulmi gjatë të cilit kryeministri u godit në kokë nga një gur, në ndërkohë që syzet e tij ishin thyer.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb