Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel, ka thënë se është e domosdoshme që autoritetet në Prishtinë të heqin taksën ndaj mallrave serbe në mënyrë që të tejkalohet bllokada në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Vuçiç edhe një herë i ka kërkuar kancelares gjermane të ndihmojë në vazhdimin e qarkullimit të lirë të mallrave dhe të tregtisë. Siç raporton Tanjug, presidenti Vuçiç ka folur me kancelaren Merkel lidhur me marrëdhëniet dypalëshe dhe situatën në rajon, por kryesisht lidhur me bllokimin në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, shkruan telegrafi.

Në komunikatën e lëshuar nga zyra e Presidentit serb, thuhet se presidenti Vuçiç në një bisedë të gjatë dhe miqësore, theksoi se Serbia është plotësisht e angazhuar për dialog, i cili është duke u ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me synimin e arritjes së një zgjidhje kompromisi të pranueshme për të dyja palët, e cila do të siguronte stabilitet në rajon dhe falënderoi Kancelaren Merkel dhe Presidentin Macron për nismën që me takimin në Berlin, respektivisht në Paris, të mbështesin këtë proces.

“Ai, megjithatë, përsëriti qëndrimin se për tejkalimin e bllokimit në dialog është e domosdoshme që Prishtina të heq taksën ndaj mallrave të prodhuara në Serbi dhe, edhe një herë e ka lutur kancelaren Merkel që të ndihmojë në vazhdimin e qarkullimit të lirë të mallrave dhe të tregtisë”.

Presidenti Vuçiç theksoi se Serbia do të mbetet e përkushtuar në politikën e saj të paqes dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor dhe falënderoi kancelaren Merkel që me fillimin e procesit të Berlinit ka kontribuar dukshëm në stabilitetin e rajonit tonë.

Lidhur me këtë, Vuçiç e ka lutur kancelaren Merkel që të mbështes formimin e zonës ekonomike rajonale, e cila do të ishte vendimtare për të tërhequr investimet dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb