SERBI- Aleksandar Vuçiç, në një emision për transmetuesin publik të Serbisë, RTS, deklaroi se Serbia është e detyruar ta ndryshojë kushtetutën brenda dy-tri viteve të ardhshme. Por kjo theksoi Vuçiç, do të ndodhë jo për shkak të Kosovës, gjë që mezi do ta prisnin kundërshtarët e tij, siç është shprehur ai në mënyrë metaforike “do ta prisnin me thika”.

“Duhet ta ndryshojmë kushtetutën për shkak të drejtësisë dhe hyrjes në BE, kapitujve 23 e 24, si dhe numrit të deputetëve dhe shumë çështjeve të tjera”, ka sqaruar ai, shkruan “Koha.net”.

Duke folur për Marrëveshjen e Brukselit, Vuçiç ka theksuar se gjashtë nga 15 pikët e saj nuk janë përmbushur dhe ato kanë të bëjnë me serbët, përkatësisht me Bashkësinë e Komunave Serbe. Për këto tha se bisedon me përfaqësuesit evropianë.

“Kohë pas kohe bisedimet janë konstruktive dhe racionale, e ndonjëherë dëgjoni gjëra për të cilat nuk mund të bisedoni e as t’i pranoni”, tha Vuçiç për atmosferën në dialogun e Brukselit ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

I pyetur rreth privatizimit të Brezovicës, ai tha se shteti i Serbisë do të përkrahë çdo vendim që do të marrë kryetari dhe qytetarët e asaj komune.


(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: