Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të takohet të mërkurën me shefin e delegacionit të BE në Beograd, Michael Devenport, për të sqaruar mosmarrëveshjet e fundit dhe (kundër) akuzat mes tij dhe BE-së.
Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka akuzuar së fundi BE-në, se po paguan gazetarë, që të përhapin gënjeshtra për kabinetin e tij qeveritar. Rrjeti i gazetarëve në Ballkan BIRN i financuar prej BE-së dhe SHBA-së merr para nga “zoti (Michael) Devenpoirt (drejtues i misionit të BE-së në Beograd) …, në mënyrë që ai të thotë diçka kundër qeverisë së Serbisë”, citojnë njëzëri gazetat serbe në fundjavë kryeministrin serb. BIRN ka publikuar së fundi një tekst, ku përshkruhen parregullësitë në tenederin shtetëror të përzgjedhjes së firmave për përpunimin e ujit “Tamnava – Zapadno polje”.
Para gazetarëve Vuçiç është shprehur i indinjuar: “Thuajini këtij gënjeshtari, se edhe kësaj radhe ka gënjyer”. Ndërsa BIRN siguron, se tekstet e kritikuara janë “njëqindpërqind të vërteta” dhe se rrjeti u përmbahet atyre pa asnjë shkurtim.
Në tekstin e rrjetit BIRN thuhet se sipërmarrja serbe për energji EPS e ka angazhuar për të kryer punë në Kollubarë një sipërmarrje pa përvojë dhe në këtë mënyrë e ka ngritur çmimin e punimeve.
Maja Kocijançiç deklaroi në Bruksel se pohimet e Vuçiçit nuk janë të vërteta, kur ai thotë se “BE-ja po financon disa organizata dhe po bën fushatë kundër qeverisë serbe”. Kjo deklaratë u bë pas pohimit të Vuçiçit se “gazetarët e BIRN-it janë gënjeshtarë, të cilët kanë marrë para prej shefit të delegacionit të BE në Beograd, Devenport dhe kanë shkruar gjëra të pavërteta”.

Kush është kundër lirisë së shprehjes?
Vuçiç i ka shtruar pyetje Devenportit dhe Koçijançiç nëse liria e të shprehurit të mendimit është e rezervuar vetëm për ata, apo kanë të drejtë edhe të tjerët të flasin. Vuçiç tha madje se ka pasur presione ndaj qeverisë serbe që këtë punë, “të fituar sipas procedurave strikte”, ta marrë një sipërmarrje perëndimore, “e cila me ofertën e saj ka qenë 23 milionë euro më e shtrenjtë se sa sipërmarrja serbe”.
“Për ju në BE janë të parëndësishme 23 milionë euro, ndërsa për vendin tim janë shumë të mëdha”, kumtoi Vuçiç duke shtuar se “ai beson vërtetë në parimet e vlerave evropiane, vlerave të BE-së”, por “nuk beson në gënjeshtra dhe hipokrizi, si dhe përndjekjen e atyre që kanë mendim të lirë. Ju nuk mund të na urdhëroni se çfarë të flasim”.
“Unë megjithë rreziqet me të cilat po përballem, dua të jem i lirë në marrjen e vendimeve dhe në drejtimin e vendit tim të pavarur dhe sovran, në rrugën drejt BE-së”, theksoi Vuçiç duke shtuar se ai “nuk do të jetë kukull në duart e dikujt tjetër, por shërbëtor i qytetarëve të Serbisë.” Vuçiç tha se “ai edhe mund të tërhiqet nga ky post”, sepse ka shumë të tjerë në Serbi të “cilët mezi presin të vijnë në postin e tij dhe të jenë shërbëtorë”.

Serbia të plotësojë kushtet e parapara
Më parë Koçijançiç tha se “BE pret nga Serbia që të garantojnë kushtet për punë të lirë të mediave në Serbi. BE-ja është shumë e befasuar nga deklaratat e Vuçiçit”. Ndërsa për kritikat e mediave, siç u shpreh, ato janë shumë të rëndësishme për të garantuar transparencën dhe konstruktivitetin e punës së qeverisë. “Më mirë të garantohen këto parime, se sa të bëhen presione për mbylljen e mediave”, theksoi zëdhënësja e BE-së.
Edhe Qendra për Studime Euro-Atlantike e ka kritikuar Vuçiçin për fillimin e këtij debati me BE-në, sepse në këtë mënyrë më së shumti dëmtohen vetëm qytetarët e Serbisë. “Pas këtij debati shtrohet pyetja: Cilat janë vlerat që i respekton Vuçiçi?”
Vuçiç i ka quajtur këto shkrime “gënjeshtra”. Ndërsa pas reagimit të zëdhënëses së BE-së, ai tha se nuk ka pritur që ai si kryeministër i një “vendi të vogël, t’u shkaktojë shqetësim kaq të madh funksionarëve të lartë të BE-së”. Vuçiç tha se “Serbia mbështet gazetarinë e pavarur dhe lirinë e mendimit dhe të shprehurit në mbarë Evropën, si parimet themelore të demokracisë. “Jam i habitur shumë me deklaratën e zëdhënëses së BE-së, Maja Koçijançiç, e cila po përpiqet të më ndalojë që të përgjigjem ndaj pyetjeve të gazetarëve”, thuhet në një deklaratë të Vuçiçit për mediat.
(a.h/dw/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb