SERBI

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç pritet t’i adresohet kombit, vetëm një ditë pasi protestuesit u futën në ndërtesën e Radio Televizionit të Serbisë, për të kundërshtuar, siç u shprehën ata, mbulimin e njëanshëm të ngjarjeve nga ky televizion.


Zyra e Vuçiçit ka njoftuar se presidenti do të flasë për ngjarjet e 16 marsit, në një adresim televiziv gjatë ditës.


Demonstruesit, që po protestojnë kundër Vuçiçit u nxorën me forcë nga ndërtesa e Radio Televizionit të Serbisë, pasi kishin qëndruar aty për dy orë.


Policia serbe arriti brenda ndërtesës së Televizionit dhe nxori jashtë protestuesit. Në mesin e protestuesve ishin edhe udhëheqësit e Aleancës për Serbinë, një grupi prej rreth 30 partish politike dhe lëvizjesh të ndryshme.

Pasi protestuesit u nxorën nga ndërtesa e RTS, njerëzit u mblodhën jashtë për të kundërshtuar veprimet e policisë.

“Në muajt e fundit ne po kërkojmë vetëm një gjë – që organizatorët e protestës të lejohen të flasin në televizionin shtetëror, tha Bosko Obraviç, lider i partisë Dveri.

Protestat antiqeveritare “Një në pesë milionë” mbahen në Beograd çdo të shtunë qysh më 8 dhjetor të vitit të kaluar. Në ndërkohë, ato janë shtrirë edhe në qytete të tjera të Serbisë, shkruan Rel.

Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e Vuçiçit, më shumë liri në media dhe transparencë gjatë zgjedhjeve.