PRISHTINË- Kryetari i Lëvizjes Serbe të Ripërtëritjes (SPO), Vuk Drashkoviç, ka thënë se Kosova është shtet i pavarur, u pëlqeu kjo serbëve apo jo.

I pyetur nga revista javore “Ekspres” nëse ai angazhohet për njohjen e Kosovës nga Serbia, Drashkoviç ka thënë se pavarësinë e Kosovës e njeh shumica dërrmuese e shteteve anëtare të BE-së dhe të OKB-së dhe shtoi se ai “e respekton atë realitet”, për të cilin tha se nuk ka faj ai, por ka faj Slobodan Milosheviçi.

“Kosova është e pavarur, Kosova është shtet, u pëlqeu kjo apo jo autistëve serbë. Nuk kam aspak faj në këtë të vërtetë, përveç fajit që jam fajtor se nuk e mohoj të vërtetën”, tha Drashkoviçi, shkruan sot Koha Ditore.

Drashkoviç me partinë e tij në zgjedhjet e fundit ka qenë pjesë e listës së përbashkët me Partinë Përparimtare Serbe të kryeministrit Aleksandar Vuçiçiç dhe si fitues i zgjedhjeve pritet që edhe SPO dhe Drashkoviç të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme serbe.

Në intervistë Drashkoviç tha se që nga viti 2012 e ka përkrahur Vuçiçin për shkak të përcaktimit të tij strategjik, se integrimet evropiane janë e vetmja rrugë e arsyeshme drejt së ardhmes për Serbinë.
Në intervistë Drashkoviçi po ashtu u angazhua që Serbia të marrë shembull nga Gjermania e pas Luftës së Dytë Botërore, të dënojë politikën e krimit të disfatës dhe të mos e arsyetojë krimin me asgjë. Ai shtoi edhe se politika e re serbe duhet të refuzojë gjithçka që i relativizon apo mohon krimet e regjimit të Milosheviçit përmes krimeve që të tjerët i kanë kryer ndaj serbëve, si dhe që “të gjitha armiqësitë që i ka prodhuar ai regjim t’i kthejë në miqësi”.

I pyetur nëse kjo nënkupton që Serbia duhet të krijojë raport miqësor edhe me SHBA-në dhe NATO-n të cilat e kanë bombarduar në vitin 1999, Drashkoviçi u përgjigj me po.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: