Deputeti demokrat Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, tha në studion e emisionit “Open” në News24 se sot mori fund saga e përndjekjes së demokratëve.

Në këtë mënyrë, Noka ka komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me logon dhe vulën e PD-së.

Noka tha se në një sistem drejtësie të kapur nga regjimi i Edi Ramës, ndodh që të dalë një filizë që të zbatojë ligjin.

“Të mbahet peng flamuri i PD pafundësisht trupa gjykuese në Apel kishte dy rrugë: ose të varroste asetin kombëtar që është opozita e vendit, dhe ti vinte kazmën demokracisë, ose të njihte opozitën si aset kombëtar të vendit. Nuk ndryshoj asnjë presje në qëndrimin tonë se Edi Rama ka kapur drejtësinë. E vërteta vonon, por nuk harron”, tha Noka.

Gazetarja Klodiana Lala duke replikuar tha se “keni 3 vjet që hidhni akuza ndaj Gjykatave, thoni që janë të kapura gjykatat. Dolët sot dhe thoni që ka gjyqtarë që ka integritet, në anën tjetër akuzoni gjyqtarët. Duhet të ndani mendjen, ose ka gjyqtarë me integritet, ose është drejtësi e kapur”. Lala hodhi hipotezën se ndoshta ky vendim i Apelit vjen në një kohë pazaresh, duke përmendur këtu pjesëmarrjen e opozitës në atë që njihet si komisioni anti-SPAK.

Noka në përgjigje tha se “drejtësia është e kapur nga Edi Rama. Mund ta mbante, por nuk e mbante dot pafund, ka bërë gjithçka për ta zvarritur në ekstrem, por Gjykatat kanë afate”. Noka hodhi poshtë mundësinë e pazareve me Edi Ramën, përfshi këtu edhe komisionin anti-SPAK.

Noka tha se do të kontaktohen një nga një të gjithë ata që pranojnë vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Vetëm njëri nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës, ndaj dhe është në dritare”, iu drejtua gazetarja Lala, Nokës.

Ky i fundit e cilësoi Berishën një të burgosur politik, ndërsa u shpreh se hallet mes demokratëve sot mbaruan.

“Vetëm një hall kemi të rrëzojmë Edi Ramën”, tha Noka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: