I nderuar zoti Dumani, në raportimin që Ju bëtë përpara KLP deklaruat se: ”Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe çështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me BKH-në. Patjetër që bashkëpunojmë me policinë dhe kemi bashkëpunim të ngushtë”.

Pas kësaj deklarate prisja të reagonin strukturat drejtuese të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, por asgjë. Ndaj e ndjeva si detyrë morale e profesionale t’ju drejtohem me këtë letër të hapur, jo vetëm si një nga punonjësit e vjetër në karrierë, por edhe si drejtor drejtorie në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, që de jure hynë në rangun e funksionarëve të lartë. Me deklaratën Tuaj të sipërcituar u ndjeva shumë keq dhe i fyer (dhe jo vetëm unë), pasi indirekt u paragjykova si persona potencialisht i lidhur me krimin. Jo, nuk mund të pranojmë të fyhemi dhe të hidhet baltë mbi ne nga askush, aq më pak nga Ju Zoti kryeprokuror.

Fillimisht dua t’Ju bëj me dije se kam qenë dhe jam një nga mbështetësit dhe kontribuesit modest të reformës në drejtësi, si një domosdoshmëri jetike për forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri.

Zoti Dumani, kjo deklaratë nuk qëndron mirë në artikulimin e Kryeprokurorit të SPAKU-t, pasi Ju jeni i detyruar të parandaloni dhe godisni implikimin me krimin e organizuar të policëve të përfshirë, sidomos të niveleve të larta; të informoni institucionet e larta të shtetit për këto implikime (në mungesë të provave të plota për goditjen e tyre), që të marrin masa në politikën e emërimeve, pasi bashkëpunimi me Policinë e Shtetit është detyrim jetik për realizimin e misionit të strukturës që Ju drejtoni. Konstatimet të tilla mund të bëjnë gazetarët, opinionistët apo analistët, megjithëse edhe nga ata kjo ha diskutim.

Sjell në vëmendjen Tuaj shoë dhe zhurmën që u bë me informacionin që u dha në media për përdorimin e rrjetit EnkroChat nga drejtues të policisë!!! Megjithëse ka kaluar jo pak kohë, përfundimi asgjë. U detyruam të gjithë të firmosnim nga një formular që nuk e kemi përdorur dhe kaq. “U mbars mali dhe lindi një mi” – thotë populli për këto raste. Gjithashtu e njëjta fabul u luajt edhe me vetingun në radhët e Policisë. U trumbetua me bujë, si shpëtimtare për pastrimin e radhëve të Policisë, u ndryshua, u pezullua, u ndryshua…. Sot kemi një ligj pothuajse të ri, të cilin (si anëtar i grupit të punës) unë e kam kundërshtuar, pasi bie ndesh me parimet bazike të funksionimit të shtetit të së drejtës.

Zoti Dumani, Policia e Shtetit është organizata super e monitoruar në shtetin shqiptar. Shkurtimisht po Ju përmend disa: Kontroll i brendshëm i Policisë (kontrolli hierarkik, Drejtoria e Standardeve Profesionale, Auditi); Kontroll i Ministrisë së Brendshme, si institucion nga i cili varet; Kontroll i jashtëm (AMP, ILDKPKI, DSIK, SHISH, Prokuroria, Avokati i Popullit, Inspektoratet e ndryshme, Drejtoria e Pastrimi Parave, mediat, shoqëria civile, ankesat në portalin e vetëqeverisjes), etj etj.

Po ashtu, sjellë në vëmendjen Tuaj se në strukturën Tuaj të varësisë BKH nga drejtuesja e saj, e nderuar Znj Hajnaj dhe shumë të tjerë, vijnë nga radhët e Policisë së Shtetit. Jam i bindur për integritetin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre në realizimin e misionit që u është ngarkuar. Zoti Dumani, struktura Juaj për goditjen e korrupsionit dhe lidhjeve të drejtuesve të policisë me krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti, ka partnere AMP një strukturë të specializuar, që paguhet nga taksapaguesi vetëm për këtë mision. Besoj se bashkëpunimi me këtë strukturë (qe aktualisht drejtohet nga një person me eksperiencë mbi 10 vjeçare në këtë shërbim dhe për koincidencë është edhe bashkëpatrioti Juaj nga origjina) është në nivelin e kërkuar, për të pastruar radhët e punonjësve të policisë të inkriminuar. Megjithëse për të qenë i sinqertë me vetveten, dua t’Ju bëj me dije se para disa vitesh e kam akuzuar mediatikisht këtë strukturë si “represive dhe të korruptuar”(si ish drejtues dhe viktimë i saj).

Nëse edhe kjo nuk funksionon i nderuar Zoti Kryeprokuror, legjislacioni procedural Ju ka dhënë mundësinë që të filloni çështjen kryesisht. Zoti Dumani, dua të sjellë në vëmendjen Tuaj se Policia e Shtetit është organizata më atdhetare dhe e përgjegjshme e shoqërisë shqiptare në këto 35 vitet e fundit. Në traumat që ka kaluar shteti shqiptar ka qenë i vetmi institucion që ka ekzistuar në çdo kohe. Kemi ngelur pa qeveri, pa shkolla, pa gjykata, pa prokurori, pa asgjë, por pa Polici nuk kemi ngelur asnjë orë. Kjo organizatë e ka paguar me gjakun e bijve të saj këtë devotshmëri. Janë 262 punonjës policie të rënë në krye të detyrës, nga të cilët 170 Dëshmor të Atdheut, si dhe 271 të plagosur. Bilanc lufte, apo jo?

Një personalitet i njohur i drejtësisë shqiptare ka kërkuar se:”Duhet një lagje, për të mbrojtur prokurorët”, po për të mbrojtur punonjësit e policisë duhet një qytet i tërë. Nëse punonjësit e strukturës Tuaj janë me të drejtë të mirë paguar, punonjësit e policisë janë jo të mirë paguar (për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër). Për këtë përgatita bashkë me disa bashkëpunëtor një studim, të cilin ja dërgova para rreth një viti Ministrit të Brendshëm. Zoti Dumani, pse ka mungesë të konsensusit politik për të krijuar një Polici Shteti (jo Pushteti) të qëndrueshme, të aftë profesionalisht dhe të depolitizuar. Unë mendoj se raporti frojdist i urrejtjes midis zbatuesit të ligjit (policisë) dhe antiligjit ka qenë dominant.

A e dini se ligjet për Policinë e Shteti është ndryshuar 3 herë, duke u votuar vetëm nga mazhorancat e radhës, madje në dy herët e fundit pjesë të tij janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese; për të mos folur pastaj për ndryshimet strukturore që kanë qenë rutinë. Asnjë nga Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nuk ka mundur të përfundoj mandatin e tij ligjor, madje deri tani janë nderuar mbi 17 të tillë.

Zoti Dumani, miqtë dhe partnerëve tanë na kanë paralajmëruar se mafia vepron këtu. Mafia botërore është shumë aktive për të shtrirë tentakulat e saj drejt nesh, drejt Ballkanit. Gazetari dhe shkrimtari italian Roberto Saviano që denoncoi si askush tjetër mafien, thotë: “…është politika ajo që ka nevojë për mafien”.
Prandaj duhet që gjithë strukturat shtetërore dhe shoqërore të bashkëpunojnë, të mos mbyllim sytë si Ponc Pilati, le të mbajmë veshët hapur e të dëgjojmë sinjalet. Po Ju citoj një fragment nga Dhjata e Mateut, (13.9) “Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!’’, sepse kambanat bien përherë për ata që kanë veshë dhe jo për ata që flenë të qetë pas alibive që i besojnë vetëm ata.

Po e mbyll këtë letër të hapur (si dashamirës i letërsisë që Ju jeni) duke Ju kujtuar poezinë e mikut tim Poetit të shquar Xhevahir Spahiu “Borxhet”: “…i kam borxhe nënës, që s’ia ngrita varrin/ i kam borxhe lisit që s’ia hodha pjergullën /i kam borxhe dashurisë që i vodha të dielën/ i kam borxhe ardhmërisë që e lashë te pragu/ I kam borxhe krimit që si vura emër”, ndaj Ju lutem me përunjësi “Vëri emër krimit Zot Dumani”.

V.O
Është hera e dytë që i drejtohem me letër të hapur Kryeprokurorit të vendit tim. Herën e parë i jam drejtuar Zonjës së nderuar Ina Rama pas ngjarjes së Gërdecit dhe aksidentit të të ndjerit Kosta Trebicka me titull “Mirë Kosta që nuk u mbrojt, po të tjerët?”, ku i apeloja se Shqipëria ka nevojë për Kryeprokuroren Ina Ramën shqiptare dhe jo Silvia Kontin.

Duke besuar në mirëkuptimin Tuaj
Me respekt
Besnik Bakiu

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb