Arsene Wenger njoftoi të premten se nga fundi i këtij sezoni do të ndërpriste kontratën pas 22 vitesh bashkëpunim me klubin anglez të Arsenal.

Por vetëm pas 24 orësh, në një kohë që drejtuesit pohuan se e kishin patur shumë të vështirë të pranonin këtë vendim të francezit, gazeta britanikë “The Sun” ka plasur ‘bombën’.

Ajo raporton se Wenger e ka dhënë dorëheqjen pasi në rast të kundërt do të ishin ‘topçinjtë’ ata që në fund të sezonit do ta shkarkonin. Sipas informatave, Wenger dëshironte të vazhdonte, të paktën edhe një sezon tjetër në krye të skuadrës londineze, por klubi ka preferuar t’i ndajë rrugët pas 22 vitesh së bashku.

“The Sun” tregon se Arsenali do të ishte dakord për ta paguar francezin në mënyrë të plotë, sipas kontratës, edhe për vitin që i mbetet në marrëveshje, me rreth 12.5 milionë euro, por do ta shkarkonte. Drejtuesit e klubit të Londrës janë të bindur tashmë dhe besojnë se pa Wenger, ekipi ka më shumë shanse për t’u kthyer në Ligën e Kampionëve.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb