TIRANE


West Side Family është një nga grupet shqiptare që mori famë nga kompeticioni i muzikës “Kënga Magjike”. Hera e fundit kur ata morën pjesë në “Kënga Magjike” ishte viti 2008 dhe tashmë 5 vite pas ndarjes nga jeta të Dr.Florit grupi ka vendosur të rikthehet sërish.


Madje ata kanë përgatitur dhe një surprizë, sepse West Side Family do të ngjitet në skenë me vëllain e Dr.Florit, Alban Kondin. Këtë lajm e ka konfirmuar vetë Albani për “Anabel.al”. Ai ka treguar se nuk e kishte menduar që të merrte pjesë bashkë me Landin dhe Mirin dhe se gjithë ideja erdhi spontanisht.


“Nuk e kisha fare në mendje. Së bashku me Elgit Dodën, po punonim për disa artistë që do të marrin pjesë në festival si Xheisara apo Olsi Bylyku dhe ishim përqendruar tek ta. Ndërkohë Landi dhe Miri po mendonin të merrnin pjesë dhe ndërsa unë me Elgitin po punonim për këngën e tyre ‘7 ditë’ , aty për aty u vendos dhe pjesëmarrja ime”, ka treguar Albani.

Por nëse ndokush mund të mendojë se ai do të bëhet përgjithmonë pjesë e grupit, Albani e ka hedhur poshtë këtë teori. Ai është shprehur se tashmë West Side Family është si një familje që mirëpret këngëtarë të ndryshëm, sot do të jetë ai e nesër dikush tjetër. Bëhen plot 20 vjet nga koha kur Ëest Side Family mori për herë të parë pjesë në “Kënga Magjike”, ndaj me siguri djemtë do të kenë menduar që këtë vit të rikthehen më fuqishëm se asnjëherë tjetër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: