LONDER- Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka takoi homologun e saj britanik, Gavin Williamson gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar. Takimi Xhaçka – Williamson u zhvillua gjatë vizitës zyrtare dy-ditore të ministres së Mbrojtjes në Mbretërinë ë Bashkuar.

Në këtë vizitë, ministrja e Mbrojtjes u takua edhe me ministrin për Europën dhe Amerikat, Dunkan, drejtorin e Përgjithshëm të Politikës së Jashtme, Moore si dhe ministrin e Shtetit për Mbrojtjen, lordin Howe. Howe është njëherësh zëvendëskryetar i Dhomës së Lordëve

“Vlerësim për kontributin dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për reformat kyçe në Shqipëri për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. Reformat mbeten vendimtare për në rrugën drejt procesit të integrimit euro – atlantik”, theksoi ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila u ndal më pas në hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.

“Hapja e negociatave rrit përgjegjësinë e institucioneve tona për transformimin e mëtejshëm të vendit tonë. Shqipëria e meriton vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Hapja e negociatave është hap pozitiv dhe stabilizues për politikën e brendshme dhe atë rajonale si dhe perspektivën e sigurisë”, nënvizoi ministrja e Mbrojtjes.

Ndërkaq, sekretari britanik i Mbrojtjes, Williamson theksoi se “Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e institucioneve demokratike dhe është faktor shumë i rëndësishëm në Ballkan”.

“Bashkëpunimi me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes në nivel të shkëlqyer dhe me pritshmëri shumë të mira për të ardhmen”, vuri në dukje ai.

Nga ana e saj, ministrja Xhaçka tha se: “Mbështetja e Britanisë së Madhe e çmuar në drejtim të edukimit dhe trajnimit të efektivëve të FA në akademitë mbretërore të mbrojtjes në Forcën Tokësorë, Detare dhe Ajrore”.

“Përmes mbështetjes tuaj, po punojmë që të ndërtojmë lidershipin ushtarak të së ardhmes në Forcat e Armatosura të Shqipërisë”, iu drejtua Xhaçka homologut britanik.

Ajo vuri në dukje se fusha bashkëpunimi në të ardhmen janë: trajnimi i pilotëve, Komunikimi Strategjik dhe strukturat për emergjencat civile.

Në Shtator do të zhvillohet në Shqipëri, stërvitja “Albanian Lion 2018” me pjesëmarrjen edhe të qindra efektivëve ushtarakë të Mbretërisë së Bashkuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb