Në kuvend po diskutohet në lidhje me integrimin europian.

Në fjalën e tij ish-ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, tha se Kuvendi nuk është noter i legjislativit dhe vend ku bëhen qoka, por hapësira  e vetme kushtetuese për mbështetjen e monitorimin e strukturave të reja të drejtësisë.

Fjala e plotë: 

E nderuar zonja drejtuese e seancës,

Kolege e kolegë deputetë,

Integrimi është përgjegjësi e të gjithëve, e cdo faktori politik e institucional në këtë vend, e mazhorancës parasëgjithash. Opozita gjithashtu ka një rol të vecantë ndaj dëshiroj të besoj se edhe kërkesa e tyre për këtë mocion të jetë shprehje e përgjegjësive të tyre për integrimin duke e lënë jashtë saj modelin, frymën dhe përfaqësuesit e c’integrimit të këtij vendi.

Sot ka një fakt konkret. Shqipëria ka hapur negociatat. Kemi përpara edhe një Raport Progres me vlerësime positive mbi ecurinë e Shqipërisë në këtë proces. Një raport i hartuar nga vet BE, shtëpia ku ne kërkojmë të hyjmë me dëshirë dhe me insistim. Ne nuk mund të diskutojmë vërtetësinë dhe konkluzionet e tyre pavarësisht se jo rrallë e kemi bërë dhe këtë, herë me ironi e shpoti dhe herë duke i injoruar apo keqlexuar sipas oreksit tonë politik. Ne duhet të jemi më modest, sipas meje, ti lexojmë mirë adresimet e rekomandimet e tyre, të reflektojmë dhe zbatojmë.

Sinqerisht ndjehem vecanërisht mirë kur shoh që ky raport hapës i negociatave ka vlerësime pozitive për ecurinë e reformës në drejtësi dhe zhvillimet aktuale në sistemin e drejtësisë. Ndjehem akoma më mirë kur shoh që Shqipëria, vendi im, edhe në saj të kësaj reforme kryesisht, në vlerësimet e bëra nga BE për të gjitha vendet e rajonit e rendit Shqipërinë më të mirën në rajon në kapitullin e gjyqsorit.

Po përtej këtij vlerësimi pozitiv, do duhet të lexojmë me shumë kujdes gjetjet, konstatimet, kritikat dhe rekomandimet që jepen.

Kjo sepse nuk ka aspak vend për eufori, por përkundrazi se jemi vec në fillimin e rrugës për negocim dhe gjyqsori, pavarësia dhe eficensa e tij është kriteri kyc për anëtarësim në familjen Europiane.

Sic u tha edhe këtu nga kolegët parafolës roli i Kuvendit mbetet thelbësor në gjithë procesin e përpjekjeve për anëtarësim dhe vecanërisht për cështjet që lidhen më drejtësinë, pasi është vendi kryesor, ku janë të përfshira mazhoranca dhe opozita, ku mund të debatohet, reflektohet dhe veprohet për zbatimin e reformës në drejtësi por kryesorja hapësira kryesore kushtetuese e ligjore për inkurajimin, monitorimin dhe koordinimin e mbështetjes ndaj institucioneve të reja të drejtësisë.

Në pikëpamjen time ka vend për të reflektuar seriozisht mbi këto përgjegjësi, pasi Kuvendi dhe strukturat e tij nuk janë noteri legjislative dhe nuk mund të shërbejnë si vendi ku bëhen qoka politike e buxhetore apo miratohen ndryshime që plotësojnë ambiciet për më shumë pushtet brenda sistemit të disa drejtuesve të institucioneve të reja të tij ose kërkesave për privilegje shtesë për disa prej tyre apo edhe peng i një procesi formal monitorimi e llogaridhënie të finalizuara me disa rezoluta formale e shpesh të ngjashme nga vitit në vit.

Ka nevojë të ndryshojë metodologjia, procesi llogaridhënës dhe të fuqizohen strukturat e angazhuara me këtë proces duke e hapur atë për shoqërinë civile, median, grupet e interesit etj.

Padyshim përgjegjësia kryesore në këtë rrugëtim të përballjes me sfidat e integrimit i mbetet vet institucioneve të reja të drejtësisë.

Reforma përmes ndryshimeve kushtetuese dhe kuadrit ligjor të miratuar ka konceptuar një sistem që vetqeveriset nga institucione të zgjedhura prej tij dhe me pavarësi të plotë funksionale e vendimmarrëse nga politika dhe dy pushtetet e tjera si dhe ju ka dhënë atyre instrumenta real për ti ushtruar përgjegjësitë, por dhe një mbështetje të pazakontë finaciare dhe ndërkombëtare si kurrë më parë. Cështja shtrohet se sa ato, organet e qeverisjes së sistemit po e jusitifikojnë këtë përgjegjësi kushtetuese përball qytetarëve.

Perceptimet jo pozitive të krijuara apo edhe pritshmëri të paarritura ende, janë ndihmuar edhe nga disa problematika në menaxhimin e procesit të zbatimit të reformës, nga një qasje jo fort e shëndetshme nga disa prej drejtuesve të institucioneve të reja të drejtësisë.

Ka ardhur momenti që KLGJ, KLP, PP, SPAK, BKH e ILD duhet të marrin përgjegjësitë tyre publike, përball qytetarëve. Kuvendi, Media e Shoqëria civile duhet të përfshihen shumë më aktivisht në këtë proces.

Personalisht përgjithësisht kam respekt për punën e këtyre institucioneve dhe të vet drejtuesve të tyre për kontributin e rëndësishëm të dhënë prej tyre në ngritjen, formatimin e funksionimin e institcioneve të reja, një pjesë me funksione e përgjegjësi të reja dhe për këtë gjë duhen përgëzuar, por të jemi realist pritshmëritë shkojnë përtej kësaj.

Kjo dmth që znj.Llagami, z.Balla, z.Cela, z.Kraja, znj.Hajnaj, z.Metani dhe zëvendësit e tyre duhet të dalin përball publikut dhe të dëshmojnë cfarë po bëjnë, cilat janë rezultatet e institucioneve që drejtojnë, cilat janë reflektimet e përgjegjësitë e tyre për problematikat që vrehen dhe kryesorja për pritshmëritë e qytetarëve ndaj tyre dhe se janë realisht të pavarur në detyrën e tyre.

Ka sot 3 kandidatë për drejtuesin e ri të SPAK. Gjë e mirë që ka 3 njerëz që kërkojnë me inisiativ dhe shpresoj, të pandikuar e të pambështetur në purteka votash, të bëhen drejtues të këtij institucioni të rëndësishëm të drejtësisë së re. Tre prokurorë, në vlerësimin tim shumë të aftë profesionalisht, që po duan me dëshirën e tyre, me vullnet të lirë, me garë e platforma publike të garojnë dhe të marrin përsipër një barrë kaq të madhe pritshmërish publike e ndërkombëtare.

Duke besuar fort se ata janë të ndërgjegjshëm për këtë përgjegjësi është detyra e këshillit, e medias e shoqërisë civile por edhe e Kuvendit të përfshihet në këtë proces për ta monitoruar qysh sot në fazën e premtimeve dhe nesër në ushtrimin e përgjegjësisë. Ndryshe ctë mbjellim do të korrim.

Nëse sot ka presione publike nga politika me zë e figurë ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të vecantë biles edhe për vendimmarrje të caktuara; Nëse sot dalin sondazhe dhe ngrihen akuza se drejtësia e re është kapur, se besimi i qytetarëve te institucionet e drejtësisë është në shifra në rënie; Nëse raport progresi, dokumenti bazë për integrimin e vendit në BE, është bërë publik kush do të reagojë për gjetjet, kritikat e rekomandimet e tij në këtë fushë?

Për këto dhe cështje të tilla duhet reaguar. Është në interes të vërtetës publike, në interes të qytetarëve të cilët duhet të dëgjojnë parasëgjithash njerëzit që qeverisin sistemin.

Ata nuk janë gjyqtarë e prokurorë që flasin me vendime, por menaxher publik që kanë përgjegjësi e instrument kryesor llogaridhënien e transparencën publike.

Qytetarët në këtë tollovi e ligësi pafund a kanë të drejtë të informohen për të vërtetën, për cfarë është duke ndodhur me sistemin dhe drejtësinë e re edhe sepse ata janë taksapaguesit e sistemit.

Tashmë është koha që institucionet e reja të drejtësisë, drejtuesit e tyre të dëshmojnë përgjegjshmëri dhe integritet, llogaridhënie e transparencë publike, besim të qytetarëve përmes rezultateve konkrete.

Ne nuk duhet ta duam Drejtësinë si pjesë të një rregjistri ku shënojmë emrin për të hyrë në Europë. Ne të gjithë bashkë duhet të punojmë për një sistem drejtësie, i cili do të na bëjë të ndjehemi parasëgjithash europianë në Shqipëri dhe anëtarë me dinjitet në familjen e madhe europiane.

Drejtësia është shpresa kyc për të bërë shtet, për të bërë shtetin e së drejtës, për të mbajtur demokracinë e shëndetshme në shinat kushtetuese dhe në autoritetin e ligjit, për të garantuar balancën kushtetuese midis pushteteve dhe për të pasur një qeverisje të mirë në interes të qytetarëve.

Faleminderit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb