Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në fjalën e tij të mbajtur përpara parlamentit deklaroi se Shqipëria gjendet në një fazë të rëndësishme të historisë politike të saj.

Xhafaj tha se Në Komisionin e Ligjeve po mbahet një proces i jashtëzakonshëm për kalimin e projekt-ligjeve për reformën në drejtësi. Ai shtoi se ajo që po ndodh është një revolucion në organizimin e sistemeve të drejtësi. Për Xhafajn, reforma në drejtësi në Shqipëri është një shembull edhe për vendet në rajon.

“Në Komisionin e Ligjeve po mbahet një proces i jashtëzakonshëm për projekt-ligjeve për reformën në drejtësi. Po bëhet revolucion në organizimin e sistemeve të drejtësisë. Eksperienca shqiptare për reformën në drejtësi konsiderohet sukses edhe në vendet e rajonit. Tashmë kemi hyrë në fazën e dytë, atë të zbatimit të reformës. Kjo është përgjegjsia jonë historike përballë qytetarëve të këtij vendi që na dhanë një mandat të dytë pikërisht e më sëpari për këtë gjë, por edhe përball partnerëve ndërkombëtar që janë duke na mbështetur fort edhe në këtë fazë delikate të procesit. Koha do të provojë dhe vlerësoj vizionin dhe përgjegjshmërinë tonë edhe në zbatimin e këtij procesi nga e cila varet suksesi i reformës në drejtësi. Asnjë interes i yni politik apo personal, nuk duhet të ndikoj sadopak në përpjekjet për zbatimin drejtë të reformës në drejtësi. Ne duhet të kujdesemi për të mbajtur larg këdo që edhe brënda nesh ka interesa klienteliste të momentit në këtë proces.”deklaroi Xhafaj.

Xhafaj nënvizoi se askush nuk mund ta ndalë reformën në drejtësi, ndërsa akuzoi opozitën se është keqadashëse dhe nuk do këtë reformë.

“ Është koha e sprovës së madhe për cilindo që realisht ka besuar dhe beson te reforma në drejtësi.Cdo mbështetje ndaj këtij procesi është shërbimi më i mirë në interes të qytetarëve, kontribut real në konsolidimin e shtetit të së drejtës.Vazhdoj të besoj fort se një sistem drejtësie i pavarur, funksional dhe eficent është garancia kyç për një qeverisje të mirë, në shërbim të qytetarit. Një qeverisje të mirë për qytetarët nuk mund ta garantojnë pushtetet e përqëndruara, por ato të ballancuara dhe të kontrolluara, nuk mund ta garantojnë individët sado të zotë e qëllim mirë qofshin, por institucionet e forta mbështetur në respektimin e kushtetutës dhe ligjit.” tha Xhafaj.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb