Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në fjalën e tij përpara parlamentit tha se vendimi i presidentit Ilir Meta nxit krizën, duke theksuar se ai është bërë palë. Xhafaj nënvizoi se Meta nuk ka kompetenca për të shtyrë datën e zgjedhjeve.

“Duket se shumica dërrmuese bie dakord me një gjë. Presidenti ka ushtruar një kompetencë që Kushtetuta nuk ia jep. Presidenti si dhe qeveria nuk kanë asnjë përgjegjësi për administrimin e procesit ligjor. Presidenti me këtë ndërhyrje humbet çdo lloj vlerfshmërie dhe për rrjedhojë kreu i shtetit nuk e meriton të jetë më në atë zyrë.

Jo vetëm që vendimi është tejkalim i kushtetueses, por nxit edhe debate të mëtejshme. E vërteta është se kemi një përplasje mes shtetit dhe antishtetit, mes parlamentarizmit dhe rrugëve të tjera antiligjore. Shqiptarët duan shtetin e së drejtës. Opozita jashtë çdo lloj norme ka lënë mandatet dhe ka dalë në rrugë. Kjo opozitë ka dalë jashtë sistemit parlamentar dhe kërkon që të imponohet me forcë dhe dhunë. Opozita kërkon të nxisë krizë, por në fakt ka krizë të brendshme”, tha Xhafaj.

Ndërkaq, Xhafaj kritikoi Lulzim Bashën, duke thënë se nëse drejtësia nuk do të ishte e kapur, Basha do të ishte në burg për së paku 3 vepra penale të rënda.

Në krye të PD është një njeri që gënjen edhe për orën e dorës, një njeri që ka bërë pis zgjedhjet kudo ku është përfshirë. Basha është një njeri në hetim këtu dhe në SHBA.

Si mund të imponohet Basha, një njeri që kërkon të vijë në pushtet me dhunë.  Ky njeri flet për kapje të drejtësisë, që ishte i kapur kokë e këmbë. Nëse nuk do të ishte kapur drejtësia, Basha do të ishte sot në burg për tre akuza të rënda, për detin, pastrim parash dhe vrasje të kryer me dashje. Drejtësia ende është e kapur, sepse përndryshe Basha do të burgosej, për gjithçka ka bërë. Një gjë është fakt: Reforma në drejtësi është në rrugën e duhur. Opozita ka vetëm alibi politike, paranoja dhe frikë për të nesërmen. Ka paranoja djathtas dhe majtas. Do të ketë një drejtësi të re në shërbim të qytetarëve të vendit”, vlerësoi Xhafaj.

Fjala e plotë:

Për dekretin e Presidentit mbi shfuqizimin e dekretit të mëparshëm për caktimin datës 30 qershor si datë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, duket se shumica dërrmuese bie dakort në një gjë.

Ky dekret i Presidenti i Republikës, është tërësisht në tejkalim të kompetencave të tij kushtetuese. Presidenti ka ushtruar një kompetencë që kushtetuta dhe ligjet në fuqi nuk ja japin. Ka ndërhyr me autoritetin e tij kushtetues në një proces tashmë të filluar. Kushtetuta dhe Kodi zgjedhor përgjegjësinë e administrimit të procesit zgjedhor ja njohin një tjetër institucioni kushtetues, KQZ.

Presidenti si dhe qeveria nuk kanë asnjë përgjegjësi që lidhet me administrimin e procesit zgjedhor. Presidenti me shpalljen e datës së zgjedhjeve humb cdo pikëlidhje ligjore e institucionale me zhvillimin, administrimin  dhe ankimimin e procesit.

Ndaj me shumë të drejtë akti i tij konsiderohet si tejkalim i kompetencave të tij dhe për rrjedhojë një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm që nuk mund të prodhojë efekte mbi procesin zgjedhor tashmë në fazën e tij vendimtare.

Mbështetës të këtij akti po kërkojnë ta justifikojnë atë me qëllimin e mirë në funksion të zgjidhjes së krizës aktuale politike.

Të gjithë e pranojnë dhe e mirëpresin ndikimin dhe rolin e Presidentit të Republikës në trajtimin dhe zgjidhjen e krizave politike. Kjo gjë është në përgjegjësin dhe rolin e tij kushtetues. Kjo nuk ka ndodhur në këtë rast.

Në vlerësimin tim Presidenti ka gabuar në rrugën e zgjedhur jo vetëm se mekanizmi i zbatuar prej tij është në tejkalim kushtetues, por edhe sepse nuk i shërben realisht zgjidhjes së krizës por acarimit të saj duke i dhënë një alibi më shumë krijuesve të kësaj krize dhe duke e bërë atë palë në këtë proces.

Presidenti ndërhyri me mjete juridike, imponoj mekanizma juridik në një krizë politike. Në një kohë që do duhej të përdorte autoritetin e tij kushtetues për të ndërtuar ura dialogu dhe për të mundësuar kompromise politike gjithmonë në respekt të kushtetutës dhe të ligjit.

Kur kemi vepruar keshtu kemi pasur edhe kompromise te shendetshme, edhe zgjidhje te mençura. I tillë ka qënë roli i Presidentit shumë të respektuar, zotit Alfred Moisiu, në krizën e parazgjedhjeve vendore të vitit 2007.

Gjithshka u ndërtua mbi një dialog intensive e konstruktiv gjë që coj në kompromis dhe kompromisi i palëve imponoj zgjidhjen institucionale.

Shembull që nuk mund të shërbej aspak si precedent për rastin konkret pasi jo vetëm kuadri ligjor zgjedhor në atë kohë ishte i ndryshëm nga ky që kemi sot, por edhe sepse vet Presidenti Moisiu kërkoj parashikimin në ligj të mundësisë së nxjerrjes së dekretit për një datë të re zgjedhore.

Në vlerësimin tim debati politik e parlamentar sot nuk mund të ngushtohet si debat për një dekret apo për një akt administrativ qoftë ky edhe i nivelit presidencial.

Duhet ta pranojmë me qetësi dhe kthjelltësi se kemi një situatë të rënduar. E vërteta është se ka një krizë politike të sajuar e cila ka në thelb të saj një përplasje midis standarteve demokratike dhe anarkisë politike, midis shtetit të drejtës dhe antishtetit, midis parlamentarizmit dhe partitokracisë.

Problemi i vërtetë nuk është aq data e zgjedhjeve në vetvehte, por mënyra e sjelljes së lidershipit politik me përgjegjësin ndaj vendit, stabilitetin, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Opozita parlamentare jashtë cdo standarti demokratik ka braktisur parlamentin, ka dorëzuar mandatet e përfaqësimit, ka zbritur në rrugë dhe po kërkon të imponohet me mjete të dhunshme.

Prej muajsh opozita jashtëparlamentare e frymëzuar dhe e dhunuar nga Sali Berisha dhe e veshur me autoritetin fals të Lulëzim Bashës po sillet si një forcë antikushtetuese.

Kjo sepse ka dalë së funksionuari jashtë sistemit demokratik parlamentar dhe me presionin e rrugës po kërkon ti imponohet autoriteteve të ligjshme kushtetuese, me forcën e dhunës po i shërben destabilitetit dhe cënimit të rendit kushtetues.

Opozita jashtëparlamentare ka një krizë të brendshme që po kërkon ta imponojë si një krizë të shoqërisë shqiptare. Ka shumë faktorë kjo krizë, por padyshim një ndër to dhe më kryesori sipas meje është kriza e lidershipit të saj politik. Në krye të saj formalisht është imponuar një njeri që as motivon dhe as frymëzon, një njeri që sic është thënë shpesh gënjen edhe për orën e dorës.

Si mund të frymëzoj për zgjedhje të lira dhe të ndershme një njëri që nuk ka mundur të zhvilloj një garë të ndershme brenda forcës së së tij politike, një njeri që ka bërë pis zgjedhjet kudo ku  është përfshirë aqsa është ndër të paktët politikanë të këtij vendi që është futur në listat e zeza të SHBA për dhunim të standarteve zgjedhore !

Si mund të ndërtoj një kauz për luftën kundër krimit ky njeri kur periudha e të cilit në funksionin e ministrit të brendshëm konsiderohet një nga periudhat më të errëta, me treguesit më të ulët të kriminalitetit në vend. E jo me fjalë se kështu duam ne ta gjykojmë si kundërshtar politik, por me shifra e fakte konkrete !

Si mund të mbrojë e promovojë parimet e shtetit të së drejtës, për reformën në drejtësi ky njeri që për herë të dytë ne historine e këtij vendi, pas asaj të miratimit të kushtetutës së re shqiptare më 1998, e vendosi PD në tentativat pengmarrëse të reformimit te drejtësisë shqiptare kundër intersave të ligjshme të shqiptarëve dhe kundër angazhimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm ndërkombëtar !!

E kam dëgjuar Lulëzim Bashën të flasi për kapje të reformës në drejtësi, të institucioneve të reja të drejtësisë ende të paformatuara mirë. Flet për kapje të sistemit ky njeri që la fushën e lirë dhe u largua nga angazhimet e detyrimet e tij ligjore e institucionale në këtë proces dhe jo vetëm nuk kontriboj në moskapjen e sistemit, po përkundrazi tentoj ta zvarris, ta marrë peng dhe tashmë ta delegjitimoj.

Kapje të sistemit të drejtësisë ! Po ai sistem i kapur ishte dhe këmbë e kokë. Nëse nuk do ishte kapur ai sistem, prokurorët dhe gjyqtarët e tij deri në nivelet më të larta, Lulëzim Basha sot do ishte në burg e jo pak po për 3 vepra të rënda penale : Vjedhje me pasoja të rënda të pasurisë publike; Marrëveshje për dorëzimin e territorit si cënim i Integrtitetit të vendit; Vrasje e kryer me dashje.

A është ende i kapur sistemi. Po sigurisht ende nuk është cliruar se nëse do kishte ndodhur kjo gjë ndër të parët që do të shkonte në përgjegjesi penale për pastrim parash do të ishte Lulëzim Basha, për të cilin ka një proces penal që zvarritet pafund nga prokuroria e Tiranës.

Zbatimi i Reformës në drejtësi është ende në fillimet e veta. Natyrisht ka gjëra që nuk po ecin me ritmin e duhur, gjëra që mund të bëheshin edhe më mirë. Por me vullnet pozitiv ne mundet të korrigjojm cfarë ka nevojë për tu korrigjuar në këtë proces. Kjo është një praktikë normale në cdo lloj reforme dhe për më tepër në këtë reformë shumë komplekse. E këtu më së pari duhet të kishim treguar më shumë angazhim për ringritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të lartë.

Gjithsesi një gjë është fakt. Reforma në Drejtësi është në rrugën e duhur. Përtej shqetësimeve parimore e të arsyeshme, përpjekjet për ta delegjitimuar reformën me argumentat e mundësisë së kapjes nga qeveria janë false e thjesht alibi politike apo edhe më keq akoma paranoja apo frikëra për të nesërmen. I kam parë dhe ndjerë dje këto paranoja, i shoh edhe sot. Djathtas edhe majtas.

Ne e kemi dizenjuar arkitekturën e këtij sistemi të ri me mekanizma të qartë që minimizojnë ndjeshëm ndikimin e partive politike në ngritjen dhe vendimmarrjen e institucioneve të reja dhe kryesorja në dhenien e drejtësisë, duke ju garantuar qëndrueshmëri, pavarësi dhe autoritet në zbatimin e ligjit, gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit të ri që po ngrihet.

Vazhdoj të besoj fort në këtë gjë. Besoj fort te të gjithë ata burra e gra, djem dhe vajza që pas kalimit të vetingut do të dinë të tregojnë se e meritojnë të jenë pjesë e këtij pushteti të ri, pushtetit gjyqsor që ka për detyrë të balancoj arbitraritetin dhe arrogancën e dy pushteteve të tjera dhe politikës në rradhë të parë, në interes dhe në shërbim të qytetarëve të këtij vendi që meritojnë të qeverisen shumë më drejtë dhe shumë më mirë se deri më sot.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: