Nga: Jeton Selimi*
TIRANE- Humbja me Serbinë ka rrëzuar në pikën më të ulët moralin e Kombëtares. Po të mos kishte ndeshje tjetër pas dhe po të mos varej kualifikimi historik nga 90- minutëshi i Jerevanit, mërzia do të kishte kaluar me kohën. Por në të vërtetë kohë nuk ka më. Kjo, sepse nesër në orën 18:00 me orën tonë, kuqezinjtë do të luajnë “matchpoint”-in e tretë në një muaj. Pasi shpërdoruan atë ndaj Portugalisë në shtator dhe atë të së enjtes ndaj Serbisë, nesër luajnë mundësinë e fundit për të arritur kualifikimin direkt për në Francë, pa kaluar në ferrin e play-off-it.

Natyrisht që në fillim të eliminatoreve të gjithë tifozët kanë ëndërruar vendin e tretë që të çon në play-off, duke qenë se sipër nesh, virtualisht, renditeshin Portugalia, Danimarka dhe Serbia. Por tani ne jemi një hap më shumë sesa parashikimi. Për këtë arsye, duhet lënë pas shpine humbjen ndaj Serbisë dhe të mos stepemi më si në “Elbasan Arena”. Një lloj stepjeje e pakuptimtë e krejt kuqezinjve, që nuk luajtën me zemër, si herët e tjera, por gabuan njëlloj si ndaj Portugalisë, në kohën shtesë, kur u iku nga duart edhe barazimi, me të cilin “flirtuan” për 91 minuta. Tifozët kanë mbetur të zhgënjyer nga humbja, por edhe nga paraqitja “pa gjak” e beniaminëve të tyre ndaj Serbisë. Thënë ndryshe, në momentin vendimtar të kësaj fushate kualifikuesesh, kombëtarja jonë u ndal, duke mos e siguruar kualifikimin që mbrëmë. Tashmë mbetet të luhet edhe kualifikuesja e fundit me Armeninë, e cila vendos për fatin tonë. Fitorja në Jerevan na dërgon direkt në finalet e “Euro 2016”, ndryshe duhet të konsumojmë edhe “Play-Off”-in, ku marrin pjesë kundërshtarë shumë të vështirë. Duke komentuar atë që ngjau të enjten në “Elbasan Arena”, Taulant Xhaka nënvizon mes të tjerash: “Faleminderit të gjithëve nga zemra për përkrahjen! Ne jemi shqiptarë me zemër, e kemi dëshiruar fort fitoren edhe ne, lojtarët, por fati nuk ishte në anën tonë. Vetëm pse kemi humbur nuk do të thotë të mos na përkrahni në ndeshjet e tjera, sepse kemi dhënë maksimumin, por kështu e ka futbolli. Jam krenar që jam shqiptar”.

Danimarka
Si Shqipëria, ashtu edhe Danimarka, edhe pse u mundën në ndeshjet e një nate më parë, përkatësisht ndaj Serbisë dhe Portugalisë, janë në dorë të Armenisë, kuptohet, më shumë danezët, pasi shqiptarët janë vetë protagonistë në fushë të dielën kundër armenëve, në ndeshjen përcaktuese për Kombëtaren shqiptare, të cilës i duhet vetëm fitorja. Mediat daneze për këtë shkruajnë: “Duhet të jetë një e diel e çuditshme. Ndërsa kombëtarja jonë do të luajë kundër Francës në ndeshjen miqësore, vëmendja është totalisht në Armeni, ku shpresojmë që Shqipëria të ngecë”. Për Danimarkën, çështja e kualifikimit direkt për në Europian ende nuk është mbyllur. Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, i luten Armenisë që të ndalë Shqipërinë në sfidën e së dielës: “Duhet të presim se çfarë do të ndodhë në ndeshjen e fundit dhe të shohim nëse armenët do të na ndihmojnë. Përballja jonë me Francën nuk asnjë rëndësi. Jemi shumë të zhgënjyer për humbjen me Portugalinë, sidomos tani që kemi mësuar se Serbia ka fituar në Shqipëri”.
Shqipëri-Armeni 2-1, shënues ishin Mavraj e Gashi. Olsen dhe të gjithë danezët të dielën do të kryqëzojnë gishtat për një rezultat pozitiv të Armenisë. Edhe mbrojtësi Daniel Ager beson se armenët do t’i bëjnë një dhuratë të çmuar përfaqësueses nordike, i cili priste një tjetër rezultat të kombëtares së tij në Portugali: “Kemi ende shanse për t’u kualifikuar direkt në Europian, edhe pse varemi nga të tjerët. Shpresojmë të dalim me kokën lart nga këto eliminatore. Por edhe nëse do të kualifikohemi direkt, kemi edhe një mundësi tjetër në play-off”.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: