Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot se ambasada e Shqipërisë në Kiev është dëmtuar nga bombardimet e ushtrisë ruse mëngjesin e kësaj të premte. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm për dëme materiale.
Kremlini shënjestroi një objekt rezidencial në Kiev, pranë të cilit ndodhet edhe ambasada e Shqipërisë. MEPJ ka publikuar pamjet e pasojave të sulmit rus. Ambasada shqiptare ka pësuar dëmtime në tavan si dhe thyerje të xhamave të dritareve.
Tirana zyrtare bën të ditur se sulmi rus rrezikoi jetën e stafit diplomatik shqiptar në Ukrainë.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”, thuhet në njoftimin e MEPJ.
(BalkanWeb)