NGA OSMAN STAFA*

Xheladin Beu ishte i famshëm, i madh, i rëndë, pervers, i ndyrë. Ishte fuqi dhe legenllëk njëkohësisht. Se harrova që për dikë duhet të bëj hyrje kush ishte Xheladini. Ai ishte një “i parë i zonës”, që kishte në dorë fatin e të gjithëve. Edhe pse mosha e tij ikte, perversi be, sa shikonte ndonje vajzë të njomë në fshat, urdhëronte shërbëtorët e tij t’ia sillnin në mbrëmje në krevat. Pastaj e bënte nuse një vajzë 15-vjeçare, me beun burrë, 50-vjeçar. Fshatarët atë kohë i fshihnin vajzat e tyre, nga frika se mos beu i shikonte dhe ua merrte në krevat. Ai ishte pushteti për ta; çfarë ai vendoste, ishte ligj.
Edhe pse beu vdiq, nami dhe vesi i tij jo. Nami u trashëgua dhe ka arritur deri në kohën e sotme, ku bejlerët janë bërë deputetë e biznesmenë, drejtorë e ministra. Një karrige e pushtetit dhe paratë i kanë bërë ata “zotër” të gjithçkaje. Ata vendosin se çfarë do të bëhet me fatin tënd, me të nesërmen, me familjen tënde. Ata janë si qentë, që sapo shikojnë një copë mishi që u kalon para syve, lëshojnë jargët e tyre nga dëshira për të kafshuar. Sapo shkëputen nga zinxhiri, ata bëhen të papërmbajtshëm dhe preja e pafajshme është e pafuqishme të reagojë. Ata “qenër” të kërcënojnë, jo vetëm ty por edhe familjen dhe ti nga frika lejon që ai “qen” të të hajë ngadalë, derisa t’i ikë dëshira e të shikojë një copë tjetër.

E kështu, në mënyrë mediokre rrjedh edhe historia e personazhit tonë. Tashmë, e larguar nga Shqipëria, 21-vjeçarja na rrëfen pa frikë historinë e saj: Mes vështirësish mbaroi shkollën. Pastaj menjëherë u përball me një realitet egërsirash që e shikonin si një copë mishi të freskët, që duhej përlarë sa më shpejt. Ajo ka frikë t’i thotë emrat e tyre, pasi ka familjen në Shqipëri dhe sepse këta njërëz që kanë tentuar t’i japin punën në këmbim të “plaçkës”, janë vërtetë të njohur. Por ajo premton se një ditë, kur ajo të jetë e sigurt që asgjë s’do të ndodhë, do t’i bëjë publikë emrat e tyre.

“Me mbarimin e shkollës fillova të kërkoj punë. Ishte e vështirë, sepse duhet të isha me eksperiencë. Fillova të aplikoja në vende të ndryshme për praktika 2-3 mujore, që të fitoja eksperiencën dhe ndoshta vendin e punës. Kam qenë në ambjente të ndryshme gazetash, të shkruara dhe online, televizionesh, ministrish. Sapo më shikonin më prisnin mirë, duke më dhënë besim se mund ta fitoja vendin e punës. Edhe pse nuk i njihja ata botues, kryeredaktorë, pronarë të medias, biznesmenë, deputetë, atë më përqafonin, më përkëdhelnin, dhe duart e tyre shkonin drejt fundshpinës sime. Në zyrë të respektojnë gjithmonë duke të të përqafuar dhe të përcjellin me një thes me premtime, se ti do të punësohesh së shpejti. Pastaj në telefon të fillojnë mesazhet.
Më ftonin për kafe në vende jo publike, sepse në ato publike kishin hallin se “kafja” do merrej për keq dhe mbanin distancë. Pastaj më ftonin që në fundjavë bashkë me “shefin” të shkonim në një udhëtim jashtë vendit, për arsye pune. Grupi i punës do të përbëhej nga unë dhe ai, vetëm. Të gjithë këta zagarë kërkonin të ishin qenia që qëndronin sipër meje, në kuptimin e parë të fjalës. Në momentin që unë nuk pranova të shkoja në vende intime, në kafë të veçuara, apo apartamente që i mbanin pikërisht për “bamirësi” të tilla, mbaronte respekti, kurse praktika për të fituar një vend pune mbyllej aty. Ndoshta radhën e kishte ndonjë peshk tjetër, për të rënë në grepin e tyre. Për këto arsye m’u desh që të largohesha nga Shqipëria. Tani nuk jetoj më në Shqipëri. Tani jam e qetë…”

E teksa po e flisja këtë histori me një miken time, ajo filloi të prekej, e u përlot. Kur u qetësua filloi rrëfimin e saj. “Unë kam qenë pjesë e kësaj historie. Më beso se në ato momente mendon edhe vetëvrasjen. Unë nisa një praktikë në një televizion privat në Shqipëri. Në ditët e para kryeredaktori filloi të më ngacmonte, duke më pyetur nëse isha e lidhur apo jo, se ku e kisha shtëpinë, çfarë bëja në kohë të lirë, nëse ai mund të më shoqëronte për në shtëpi, etj.. Doja të ikja menjëhërë nga ai vend, s’mund të duroja më. Shumë net pa gjumë kam kaluar. Por nga ana tjetër isha në presion edhe nga familjarët e mi, të cilët nuk më kuptonin dhe ata donin që unë të isha në punë me patjetër. Ata më bënin presion. Une kisha bërë 3 vite shkollë Bachelor dhe tashmë duhet ta kisha patjetër një punë, ndryshe isha e pavlerë, e pazonja, familjarët s’më flisnin. Realisht ka qenë koha që vërtetë e mendoja vetvrasjen si rrugën më të lehtë për t’i shpëtuar dy zjarreve që po më digjnin pa pushim. Në fund vendosa që të ikja nga aty, dhe vetëm të mbaja mbi shpinë presionin e familjes sime”.

Edhe pse vetëm 21 vjec, dikur kishte dëshira dhe ëndrra për të ardhmen, por që kjo histori e ka kthyer në një njeri të mbyllur dhe të ngurtë.
Ata janë të pamëshirshëm, nuk u intereson asnjë ndjenjë emocionale jotja. Ata kanë një qëllim të vetëm, të të “hanë” e pasi ngopen më ty, shkojnë të gjuajnë gjak të ri.

Një ditë rastisa në një udhëtim jashtë Tirane me një biznesmen. Shëtitëm në tema të ndryshme politike, sociale, ekonomike, ashtu siç kemi zakon ne shqiptarët, kur nuk kemi si shtyjmë rrugën apo s’kemi çfarë bëjmë. Më pas atij i ra telefoni. U përgjigj. Pasi e mbylli me tha që duhet të shkojmë në një pikë “Ëestern Union” për të dërguar 100 euro dikujt jashtë shtetit. Aty nisi të më tregojë edhe historinë e tij. Biznesmeni është rreth 50 vjeç.

“Para ca vitesh njihem me një gazetare, si biznesmen që jam. I marr numrin e telefonit se na bënte puna dhe të them të drejtën ishte e mirë. Ishte 22 vjeç dhe ishte gazetare. Ishte e varfër e shkreta. Vinte nga rrethinat dhe pasi kishte mbaruar shkollën e kishte të veshtirë të gjente paratë për të ndenjur në Tiranë. Prindërit i kishin thënë që po nuk gjete punë dhe nëse nuk mban veten do të kthehesh në shtëpi. Ajo nuk e donte diçka të tillë dhe rastisi që unë ato kohë e kam ftuar për kafe. Kur e ftova për në një udhëtim jashtë qytetit, ajo pranoi. E atje më tregoi sesi ishte puna. Mua më erdhi gjynah se ishte vajzë e mirë, kështu që i thashë që do të të jap unë paratë që ti të rrish në Tiranë. Më pyeti se çfarë kërkoja në këmbim. Ia kam thënë troç, që dua, që ditë të caktuara të bëjmë udhëtime. Mori disa ditë kohë për ta menduar edhe më tha: Po! Pastaj javën tjetër shpika një udhëtim në jug dhe kemi ndenjur tre ditë në një hotel. Atje kemi shkuar bashkë, dhe kur u kthyem në Tiranë, i kam dhënë 1 milion lekë. I meritoi plotësisht. E tani vazhdoi kështu. Takoheshim kur unë ia kërkoja dhe nuk bënte naze sepse e mbaja me lekë. Filloi të vishej mirë, të mbante veten, të blinte rroba, këpucë. Por para ca kohësh ka ikur jashtë vendit për një jetë më të mirë dhe atje s’ka gjetur atë çfarë priste. Kështu që më kërkon që t’i çoj para atje ku është. 100 eurot do t’ia nis asaj. Unë të paktën e mbaj mirë, por kam shokë të mitë që kanë nga dy nga tre. U marrin shtëpi me qera në Tiranë, dmth ua paguajnë ata vetë, dhe shkojnë në këto shtëpi në çfarë kohe dhe ore të duan.”

Kjo është Shqipëria e Xheladin bej-ve, të cilët me pushtetin në duar, e cilësojnë vetveten “Zot”. Qëllimi i tyre është “plaçka”. Por, ti deputet, kryeredaktor, biznesmen, ministër, ti me lekë, me kollare, me ML të fundit, ti cinik, ti pervers i dhjamur, ti i pashpirt, ti jargavitës…Ti që kujton se ke fuqinë e Hyjnive, ti mos shfrytëzo pafuqinë e njerëzve. Mos përfito nga dobësia, pamundësia, varfëria e nevoja e të tjerëve. Mos u bëj i tillë, se një ditë, kur të kesh rënë nga fiku, do të jetë vajza jote që do të niset papritur nëpër udhëtime, e ti do dyshosh si qeni për këpucët e saj të reja. Do të jenë barkmëdhenj të tjerë që do të luajnë me pafajësinë e saj. Hiq dorë tani “Xheladin”, se ndëshkimi do të vijë një ditë edhe për ty… nga njeriu apo nga Zoti. Mjerë ti!

OSMAN STAFA, GAZETAR

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: