NGA ENIDA HIMAJ*

Ata të dy vazhdojnë të jenë ende në qendër të vëmendjes. Çifti që u njoh dhe krijoi një raport brenda shtëpisë së “Big Brother”, Xhensila dhe Fatjoni, sot po gëzojnë ende popullaritetin e tyre. Ditët e fundit të dy kanë udhëtuar drejt qyteteve të ndryshme të Shqipërisë dhe jo vetëm, ku dhe janë ndeshur me interesin e madh të fansave. Në një prononcim për “Bluetooth”, Xhensila është ajo që hedh poshtë thashethemet për një marrëdhënie të komplikuar mes dy të rinjve. Ajo në këtë rrëfim sqaron se me Fatjonin po kalon shumë mirë dhe po e shijojnë famën që ‘Big’-u iu dha. “Jam duke e shijuar në maksimum. Po marr të gjitha frytet e këtij popullariteti. Kemi vizituar Kosovën, Malin e Zi dhe në disa qytete në Shqipëri. Arsyet kanë qenë ftesat nga persona të veçantë. Kemi marrë një mikpritje nga të gjitha anët dhe një respekt shumë të veçantë. Sidomos në Kosovë ishte një mikpritje e ngrohtë, gjë të cilën nuk e prisnim”, është shprehur modelja simpatike e “Big Brother 8”.
Marrëdhënia me Fatjonin
Shumë në dilemë kanë qenë fansat nëse ka ndryshuar diçka mes saj dhe Fatjonit. Më tej Xhesi na tregon se me Fatjonin po kalojnë ditë të arta, duke na zbuluar dhe një sekret, që i dashuri i saj është shumë romantik. “Normalisht lidhja ka ndryshuar, po njoh Fatjonin romantik dhe të përkushtuar ndaj meje”, shprehet ish-banorja. Nuk nguron të flasë edhe për marrëdhëniet me familjarët, duke u shprehur se tashmë janë sqaruar të gjitha dhe po e shijon kohën pranë familjarëve të saj. Por pranon se ende nuk e ka takuar familjen e Fatjonit dhe as ai të sajën, me përjashtim të vëllait të Xhesit. “Akoma jo, kemi preferuar të njohim sa më mirë njëri-tjetrin dhe të jemi të sigurt kur të hedhim një hap të rëndësishëm dhe për të finalizuar lidhjen tonë. Vetëm vëllai im e ka takuar Fatjonin, ai është shoku im më i mirë dhe ka dalë shpesh me ne. Tashmë marrëdhëniet me familjet tona janë shumë të qeta, pasi kanë marrë çdo shpjegim dhe të gjitha përgjigjet në lidhje me pikëpyetjet që ata kanë pasur”. Gojët e liga nuk i kanë lënë rehat edhe këtë çift, duke u shprehur se Fatjoni bëhet xheloz për Xhensilën aq shumë, saqë shpesh shndërrohet edhe në një person të dhunshëm. Vetë Xhesi e pranon se i dashuri saj është tip xheloz, por duke nënvizuar se në të gjitha rastet ai e ka respektuar. “Fatjoni është xheloz, por di ta menaxhojë shumë bukur dhe është koshient si ai, ashtu edhe unë, me popullaritetin që kemi edhe fansat apo fanset janë të shumtë. Gojët e liga do të ekzistojnë gjithmonë, por realisht është e kundërta. Fatjoni është shumë i përkushtuar ndaj meje dhe ka treguar anën më të mirë të tijën, atë që nuk e ka treguar në ‘Big Brother’ dhe që po e njoh vetëm unë dhe njerëzit që na rrethojnë”.
Planet për verën
Që në fillim Xhensila na premton se do të jetë një verë e nxehtë për të dy. Pas shkëputjes për disa kohë nga Shqipëria, bukuroshja do t’u përkushtohet tërësisht pushimeve dhe Fatjonit. “Ne jemi pothuajse non stop me njëri-tjetrin, me përjashtim në oraret e punës, sepse si unë dhe Fatjoni kemi një jetë aktive jashtë mureve të ‘Big Brother’. Për shkak të impenjimeve të mia, nuk do të jem në Shqipëri për disa kohë dhe për këtë arsye nuk kemi vendosur se ku do i kalojmë, por ju them që një verë e bukur po na pret”!

 

(m.k/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: