TIRANE- Deputetet e Partisë Socialiste kanë reaguar pas deklaratave të kryetarit të PD-së Lulzim Basha lidhur me çështjen ‘Xhisiela’. Përmes një deklarate, gratë socialiste u shprehën të indinjuara për qëndimet e Bashës, duke i cilësuar si fyerje dhe talljet.
“Ne Grupi i Grave Deputete të Partisë Socialiste shprehim indinjatën tonë të thellë për fyerjen dhe talljen që Kryetari i Opozitës i bën opinionit publik për rastin e Xhisiela Malokut. Pasi ngriti paturpësisht mbi vajzën një seri episodesh telenovele groteske me polic hero dhe kërcënim mafioz, me lum akuzash publike për drejtuesit e Partisë Socialiste, me lotë krokodili nëpër banaqe televizive, protestash të stisura për mbrojtjen e vajzës duke e dhunuar publikisht, sot që inskenimi kriminal po zbërthehet nga Prokuroria në të gjithë përmasën e saj të shëmtuar, Lulzim Basha del dhe sulmon pikërisht vajzën si të përdorur nga pushteti për të pështyrë opozitën.
I bëjmë thirrje grave deputete të Partisë Demokratike të distancohen nga kjo politikë primitive që deri edhe një vajzë që meriton vetëm solidaritet, kërkon ta përdorë si mish për top në luftën për pushtet. Koleget e nderuara të shkojnë të marrin në polici kamerat qe provojnë se partia e tyre po gënjen përdite dhe publikisht. Ato duhet të ndikojnë mbi udhëheqjen e tyre të çoroditur që Prokuroria dhe Gjykata të lihen të qetë të punojnë për të bërë drejtësi deri në fund. Xhisiela Maloku të lihet e qetë në përditshmërinë e saj për të marrë veten nga ky dhunim i vazhdueshëm politik. Si dhe opinioni publik të çlirohet nga kjo peshë e rëndë që politika pa kokë e opozitës ia ka hedhur mbi shpinë.”, pohuan ato.
(ed.me/BalkanWeb)