TIRANE – “Xhisiela” dosja që trazoi politikën shqiptare, pritet të çojë në dyert e institucionit të prokurorisë, kreun e opozitës Lulzim Basha. Ai është ftuar të paraqitet këtë të premte, në Prokurorinë e Tiranës, për të dhënë deklarime pasi është kallëzuar nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, për kallëzim të rremë e shpifje.

Sipas Ballës, kryeopozitari në bashkëpunim me ish-nënkomisarin Emiljano Nuhu e gazetarin Basir Collaku, sajuan një skenar me qëllim dëmtimin e imazhit të tij. Kjo lidhet me denoncimin publik që ish-nënkomisari Nuhu, bëri gjatë një interviste që realizoi me gazetarin Collaku, ku pretendonte se është kërcënuar me armë në zyrën e tij të punës në stacionin e policisë së Fushë Krujës, në prani të deputetit socialist Balla.

Nuhu pretendon se gjithcka ndodhi në momentin kur tentoi të arrestonte Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja, i cili ishte denoncuar nga ish-e dashura Xhisiela Maloku për dhunë. Intervista e Nuhut u transmetua edhe nga selia e PD dhe Lulzim Basha hodhi akuza të rënda ndaj socialistit Balla. Për të gjitha këto, kryedemokrati pritet të japë shpjegime përpara grupit të hetimit. Ende nuk dihet nëse Basha do t’i përgjigjet fletëthirrjes së prokurorisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb