Prokuroria e Tiranës pushon hetimet për kërcënimin e pretenduar nga oficeri i policisë Emiljano Nuhu, ndërsa po hetonte për dhunë Rexhep Rrajën, djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Institucioni i akuzës arsyeton se nuk provohet që oficeri Nuhu të jetë kërcënuar nga pjesëtarë të fisit Rraja nga Fushë-Kruja, e për këtë shkak pak javë më parë, dosja është vendosur të arkivohet, duke rrëzuar të gjitha pretendimet e ngritura nga denoncuesi.

Korrikun e 2018, oficeri i policisë denoncoi në komisariatin nr.6 se ishte kërcënuar nga Redjan e Ramazan Rraja, në një lokal në zonën e Unazës së Re.

Sipas tij dy të afërmit e Rexhep Rrajës, i denoncuar nga e dashura Xhisiela Maloku për ushtrim dhune i kishin kërkuar të hiqte dora nga çështja.

Nga hetimet e prokurorisë, bazuar dhe në pamjet e kamerave të sigurisë, rezultoi se takimi mes oficerit dhe personave që akuzonte ishte miqësor dhe nuk provohej që Emiljano Nuhu të ishte kërcënuar. Oficeri u largua jashtë Shqipërisë, duke kërkuar azil, pasi më herët denoncoi sipas tij skandalin që po ndodhte në Komisariatin e Fushë Krujës, me rastin e Xhisiela Malokut. Sipas tij kishte ndërhyrje për të shpëtuar nga burgu djalin e deputetit.

Pas denoncimit të Nuhut, djali i deputetit u arrestua dhe dënua për ushtrim dhune ndaj të dashurës Xhisiela Maloku, e cila u tërhoq nga çdo akuzë ndaj tij. Rexhep Rraja ndërkohë pak muaj pas skandalit që trazoi edhe politikën, rifitoi lirinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb