TIRANE- Pas akuzave publike dhe denoncimit të oficerit Emiljano Nuhu se djali i tij e ka kërcënuar për të fshehur një përdhunim, deputeti i PS-së Rrahman Rraja ka reaguar sërish. Kësaj here përmes një statusi në ‘Facebook’ ai tha se nuk ka bërë kurrë presion ndaj policisë.

Rraja pohoi se ai nuk bëhej prokurori i djalit të tij, i cili qëndron pas hekurave nën akuzën e përndjekjes ndaj ish-të dashurës, Xhisiela Malokut, duke shtuar se kjo çështje i takon drejtësisë për të hetuar. Mes të tjerash socialisti tha se me familjen e vajzës që denoncoi djalin e tij, ka lidhje disa vjeçare, që për të mbetet e pandryshuar.

REAGIMI I DEPUTETIT
Une Rrahman Rraja, per shume vite kryetar i komunes Nikel dhe sot deputet i PS, deklaroj:

1. S’kam marre pjese ne asnje lloj presioni mbi policine dhe kam kerkuar dhe kerkoj te hetohet vendndodhja ime ate dite.
2. Mos prisni nga une qe te behem prokurori i tim biri dhe mos keqperdorni fjalet e mia si baba! Po e them shume qarte qe prokuroria duhet ta hetoje ceshtjen deri ne fund.

3. Familja jone dhe familja e vajzes kane marredhenie te vjetra miqesore qe jane te pandryshuara sot dhe gjithe jeten.

4. Djali dhe vajza kane pasur nje marredhenie disa vjecare dhe pavaresisht asaj qe mendoj une, e perseris, kjo ceshtje i takon drejtesise, jo politikes.

Kujtojmë se sot deputeti i PS-së teksa u pyet nga gazetarët lidhur me çështjen në fjalë, tha se djali i tij nuk e kishte dhunuar vajzën, ndërsa shtoi se nuk do të tërhiqej nga grupi parlamentar i PS. Ngjarja në fjalë u bë publike pas një denoncimi që u publikua në faqen e ‘Facebook’-ut të ish-kryeministrit Berisha më 29 korrik.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë erdhi dhe dëshmia e oficerit Emiljano Nuhu, i cili pohoi se kishte lënë Shqipërinë pasi ishte kërcënuar me jëtë nga djali i Rrahman Rrajas.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb