Champions League, faza play-off, ofron një derbi shqiptarësh, me Qarabag që “peshkon” Dinamo Zagreb, Redon Xhixha kundër Arbër Hoxhës. Xhixha u kthye në protagonist në fitoren e thellë 7-2 që ekipi azer arriti kundër Ludogorets.
Koha e rregullt përfundoi 3-2 në favor të Qarabag duke bërë që ndeshja të shkonte në shtesë, në një kohë kur dhe sfida e parë ndërmjet tyre kishte përfunduar me të njëjtin rezultat. Në shtesë, azerët ishin të papërmbajtshëm duke realizuar edhe katër herë të tjera.
Në minutën e 106, në fushë u hodh edhe ish sulmuesi i Tiranës, Redon Xhixha. Pesë minuta i mjaftuan për të lënë gjurmë duke realizuar golin e 5-të për Qarabag. Në play-off, Xhixha gjen Dinamo Zagreb, ekipin e Arbër Hoxhës, me sulmuesin kuqezi që po kalon një moment shumë të mirë teksa ka realizuar 2 gola në 2 ndeshje.
Kjo fazë e Champions League dhuroi një surprizë, nëse mund të konsiderohet e tillë, me Fernerbahce që mbetet jashtë turneut më të rëndësishëm në Evropë. Nuk mjafton edhe as efekti Jose Mourinho, me turqit që u dorëzuan përballë Lillë.
Fenerbahce u rikthyen në lojë në minutën e 91-të, ku një autogol i Diakite dërgoi ndeshjen në shtesë. Pavarësisht se në epërsi numerike, Fenerbahce jo vetëm që nuk e shfrytëzoi, por në minutën e 116-të, Lille fitoi një penallti e konvertuar në gol nga David, një gol që i dhuroi francezëve kualifikimin për më tej.
Në përfundim të ndeshjes, ashtu siç pritej, Mourinhio ia faturoi eliminimin gjyqtarit të takimit: “Një skuadër e meritoi të fitonte, tjera kaloi më tej. Goditëm dy herë shtyllën, kishim shumë raste. Vetëm arbitri dhe VAR e di pse e akordoi atë penallti. Gjithsesi, në Europa League mund të bëjmë mirë”, u shpreh Mourinho.
(BalkanWeb)