E ftuar në studion ‘Opinion’ në News24. Nënkryetarja e LSI-s, Erisa Xhixho komentoi deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Xhixho tha se vendi ndodhet në një krizë totale besimi, dhe se qeveria tranzitore e kërkuar nga opozita është një zgjidhje për të dalë prej saj.

“Të kemi mundësi t’i japim shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme. Të kapim ato standarde europiane që të gjithë kërkojnë” u shpreh Xhixho.

Duke komentuar protestën e opozitës së bashkuar, Xhixho tha se edhe kjo protestë do të jetë paqësore, ndërsa foli për numër të madh pjesëmarrësish.

“Do të jetë një protestë jashtëzakonisht e madhe, kjo protestë ka shkuar përtej partive, është një kauzë për keqqeverisjen, situatën ekonomike ku ndodhet vendi, kemi 18 mandate më pak në parlament, që nuk do të plotësohen, kemi një kolaps të sistemit të drejtësisë. Është një alarm për krizën ku ndodhet vendi. Qytetarët vijnë në protestë për shqetësimet e tyre të përditshme, jo vetëm për të mbështetur opozitën” u shpreh Xhixho.

“Njerëzit janë të revoltuar, kanë shumë arsye për të protestuar, dhe në momente te caktuara e shprehin revoltën e tyre edhe me një thyerje xhami, por organizatorët janë aty për të përmbajtur revolutën popullore. Cështja është që arroganca e përditshme që tregon qeveria dhe kryeministri Rama ndaj qytetarëve do ti përgjigjen me të njëjtën monedhë. Kjo është e pashmangshme” theksoi Xhixho.

Nënkryetarja e LSI-së u shpreh se vendi ka tashmë një kryeministër që nuk e njeh realitetin.
“Nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën, ato nuk mund të jenë zgjedhje, ato janë thjesht votime, po hajde të pranojmë që në 30 qershor do ketë votime, sepse zgjedhjet kanë ide, alternativa, por në 70% të bashkive nuk ke përballje, atëherë le të kthehemi në sistemin monist, sic është kthyer tashmë parlamenti dhe kjo medalje i takon Ramës”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb