Nga Aurora Koromani* TIRANE- Kokaina e papërpunuar vinte nga Bolivia dhe ajo përftohej pas një procesi të gjatë kimik në laboratorin e Xibrakës”. Kështu e nis rrëfimin e tij për “Gazetën Shqiptare”, një prej agjentëve të Antidrogës shqiptare që ka ndjekur operacionin për kapjen dhe asgjësimin e grupit kriminal që vepronte në Xibrakë. Ai
thotë se ekspertët gjermanë që kanë qenë të shtunën në vendngjarje mendojnë se laboratori nuk ka më shumë se 1 muaj në punë. “Këtë dyshim e mbështet edhe më shumë fakti se në pjesën e drunjtë mbi të cilën janë vendosur sitat ku bëhej kullimi i përzierjes nuk ka mbetje, gjë që tregon se druri është i ri dhe i sapomontuar me pjesën tjetër”, u kanë thënë ekspertët e huaj atyre shqiptarë.
Prej nga dyshohet se vinte lënda e parë organike prej nga nxirrej ekstrakti i kokainës?
Ne kemi dyshime se lënda e parë organike vinte nga Bolivia, por këto janë dyshime paraprake, sepse hetimet vazhdojnë dhe, për të qenë më të saktë, duhet të themi se vinte nga vendet e Amerikës Latine. Edhe për mënyrat se si është transportuar deri në vendin tonë ka disa versione, njëri nga të cilat është ai i tretjes në rroba, por edhe i përzierjes
me një lëndë tjetër organike që përdoret për lëkurët e kafshëve, por edhe për këtë gjë hetimet vijojnë.
Si bëhej nxjerrja e ekstraktit të kokainës në këtë laborator?
Nxjerrja e ekstraktit të kokainës ka kaluar në disa procese. Së pari, është bërë përzieja e lëndës organike me aceton, me acid klorhidrik dhe acid sulfurik. Ekspertët, që mendohet se kanë qenë dy kolumbianët, sipas formulës së përllogaritur kanë përzier masat e acidit dhe lëndës organike brenda fuçive të mëdha, por edhe acidi, edhe lënda organike janë hedhur me masë të përllogaritur. Më pas e gjithë përzierja është hedhur në sitën e parë. Masa që është përftuar nga sitja e parë përzihet me një acid tjetër, ose siç quhet ndryshe me amoniak, dhe kjo përzierje e gjitha kalon në procesin e dytë të sitjes. Më pas, masa që përftohet nga sitja e dytë kalon te procesi “bagnomari”, (proces i ngrohjes
ose distilimit indirekt, të ngadaltë) dhe pikërisht në këtë proces bëhet ngrohja e masës dhe avullimi i saj për të përftuar masën e kokainës. E gjitha kjo masë kalon në një proces të tretë sitjeje dhe e gjithë masa në fund kalon te tavolina metalike, e cila nuk ndikohet nga acidet. Në këtë tavolinë bëhet matja e aciditetit dhe masa e PH e kokainës së përftuar.
Çfarë ndodh më pas me kokainën që përftohet nga këto procedura?
Pasi është përftuar masa e kokainës, kalohet në fazën tjetër, që është faza e presimit dhe pjekjes së masës. Pasi është përfituar kokaina nga procesi i sitjes dhe avullimit, e gjithë masa kalon te presa, ku kokaina presohet në mënyrë të ngjeshur dhe në formë kallëpi. Pas kësaj, kallëpi kalon te mikrovala dhe pasi lihet pak minuta aty, sa parashikohet nga specialistët, kallëpi kalon te llambat e pjekjes, ku pas kësaj e gjithë masa kalon në tavolinë dhe me peshore bëhet peshimi i saj. Pas kësaj është gati për të dalë në treg.
Prej sa kohësh mendohet se funksiononte ky laborator?
Kjo gjë po hetohet, por ekspertët gjermanë na thanë, se nga ato që panë këtu në laborator kanë dyshime se nuk ka më shumë se një muaj që ai është ngritur. Ekspertët gjermanë panë drurët të cilët janë montuar me sistemin e sitave dhe thanë se drurët janë të rinj dhe se tek ata nuk ka mbetje, që do të thotë se janë montuar tani vonë, sepse nëse do
kishin kohë që do ishin montuar, drurët do kishin mbetje.
Lavatriçja që ndodhet këtu, për se është përdorur?
Ne mendojmë se është përdorur për një lloj procesi nga i cili prodhohet pasta e kokainës, e cila përftohet nga procesi i centrifugës, por mund të jetë përdorur edhe për procesin e centrifugës për rrobat. Çdo gjë po hetohet.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb