Dy pretendentët kryesorë për titullin kampion, Partizani e Kukësi, duket se po kalojnë nga faza e armëpushimit, në pjesën më të nxehtë, teksa dhe në deklarata sfida ka nisur të ashpëresohet. Kapiteni i Kukësit, Ylli Shameti, i është përgjigjur homologut të tij te Partizani, që në konferencën e fundit për shtyp, ka deklaruar Shameti ka nisur të huazojë nga presidenti i tij, Safet Gjici, çështjet e batutave.

Shameti pat deklaruar në një studio sportive se tashmë është radha e Kukësit për të marrë vendin e parë, çka nga ana e kapitenit të Partizanit është interpretuar si batutë alla Gjici. Kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer aspak Shametit, që për “vipsport.al”, u përgjigj në këtë mënyrë.

“Unë çdo gjë që them, e them të kalkuluar dhe në mënyrë profesionale. Nuk e di se ku është batuta tek ajo çka kam thënë unë por gjithsesi kur nuk dëgjon dhe shikon duhet minimalisht të pyesësh se si është e vërteta. Shameti dhe ekipi i Kukësit e kanë treguar në fakt në vite që s’kanë frikë ndonjë ekip por përkundrazi, ekipet e tjera na kanë parë nga poshtë. Gjithsesi, fusha do të tregojë kush e meriton këtë titull në fund. S’është keq t’i marrësh ca gjëra të mira presidentit dhe t’i përdorësh në mënyrën e duhur dhe atje ku duhet”, u shpreh Shameti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb