Lule basani është bimë barishtore shumëvjeçare e familjes Hypericaceae (Guttiferae). Në vendin tonë kjo është një bimë që rritet gjerësisht në zonat e ulëta. Periudha që mblidhet lule basani është në fund të majit dhe në fillim të qershorit. Bima mund të përdoret e thatë, ose e njomë. Kur është e njomë, sasia e bimës që përdoret duhet përgjysmuar, pasi përbërësit kimikë janë më të fuqishëm në bimën e njomë. Kësaj bime i përdoren vetëm majat e lulëzuara për veti kurative. Kjo bimë rritet e gjatë deri në 50 cm, por pasi mblidhet, pritet rrënja e bimës dhe një pjesë e kërcellit që nuk përmban lule (rreth 20-30 cm të gjata) dhe thahen në hije.

Përbërësit kimikë
Lule basani përmban shumë përbërës fitokimikë. Ndër këta, në sasi më të mëdha gjenden derivate të floroglucinolit në sasinë 0.2-4%, flavonoide (2-4%), taninë, proantocianidina, acid klorogjenik amino acide dhe vaj esencial (0.1-0.3%). Lule basani është një bimë çudibërëse. Ka efekte në të gjithë organizmin dhe ka një përdorim shumë të gjerë. Ndikon në sistemin e tretjes, ka efekte qetësuese në organizëm, prandaj ndihmon në ngërçet e stomakut, ndihmon në djegiet e tij gjithashtu.

Efektet
Kjo bimë ndihmon në shërimin e ulçerës dhe gastritit e prandaj këshillohet të përdoret pothuajse çdo ditë për rreth 45 ditë nga individët që vuajnë nga stomaku. Nëse keni djegie apo kthim të ushqimit, bima ndihmon në rregullimin e funksionit të muskujve të stomakut, duke i qetësuar ato, duke sinkronizuar kështu mbylljen dhe hapjen e këtyre muskujve. Lulja e basanit ndikon në rigjenerimin e mukozave të brendshme të organeve, kështu ul inflamacionin e brendshëm. Nëse konsumoni shumë kafe gjatë ditës, e cila rrit inflamacionin e organeve të brendshme dhe rrit gjendjen e hiper aktivizimit, mund të zëvendësoni një kafe me një gotë çaj me lule basani dhe kështu e ndihmoni trupin tuaj të qetësohet dhe të vazhdojë punën normalisht. Bima ndihmon në qetësimin e sistemit nervor. Ndikon në qetësimin e ankthit dhe stresit, ndikon direkt në sistemin nervor duke e qetësuar atë, pa shkaktuar efekte anësore. Në rast se keni probleme me pagjumësinë apo keni një situatë stresuese, e cila ju ndikon në gjumin tuaj mund të përdorni çdo natë për 30 minuta deri në 1 orë para gjumit një gotë me çaj lule basani. Kjo ndihmon në një gjumë të qetë e në largimin e gjendjeve stresuese. Bima ndikon në rregullimin e sekretimit të hormoneve nga truri, prandaj edhe ka efekte qetësuese. Kështu ndikon në rregullimin e menstruacioneve, sidomos tek femrat që kanë çrregullime hormonale dhe kanë vonesë të ciklit menstrual. Lule basani përdoret e plotë, ose e copëtuar. Mund të përdoret si çaj, ose mund të përdoret vaji i bimës.

Doza ditore për të rriturit është 2-4 gramë material bimor. Zakonisht, 1 lugë çaji në një gotë me ujë. Rekomandohet 1-2 gota në ditë para ushqimit. Për të përgatitur vaj basani veprojmë kështu: merret lulja e basanit e njomë, priten me gërshërë vetëm lulet e bimës dhe hidhen në një enë qelqi, mbulohen komplet lulet me vaj ulliri dhe lihet përzierja në diell për 45 ditë. Pas 45 ditësh kullohet vaji dhe ruhet në errësirë. Nga ky vaj konsumohet 1 lugë gjelle në mëngjes çdo ditë përpara ushqimit. Vaji i lule basanit mund të përgatitet edhe me lulen e thatë të bimës, mjafton që përpara se ta futni në vaj lulet e bimës duhet të futen në ujë të valuar përpara për 2-3 minuta. Pastaj lihet të kullojë pak uji dhe futen menjëherë në vaj ulliri. Vaji i lules së basanit përdoret edhe për përdorim të jashtëm. Përdoret në trajtimin e plagëve, djegieve dhe pezmatimeve të lëkurës. Vaji i lules së basanit është shumë i fuqishëm në mbylljen e plagëve, ndihmon në rigjenerimin e qelizave të mukozave të brendshme.

Përdoret në kremra rigjenerues për plagë si dhe për rigjenerimin e kurimin e hemorroideve në fund të zorrës së trashë. Është ushqyes e rigjenerues i zorrës së trashë. Kremi kundër hemorroideve arrin të hyjë në thellësi të zorrës, pasi përthithet shumë shpejt nga zorra e trashë. Ky krem e ushqen, lubrifikon dhe mbyll plagët e brendshme në zorrë. Vaji i lule basanit përdoret për lyerje të lëkurës, por lëkura e lyer nuk duhet të ekspozohet në dritën intensive të diellit. Pasi ndikon në formimin e njollave kafe në trup, nëse ekspozoheni në diell me vajin në lëkurë. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb