Ish-sulmuesi i Partizanit, Ylli Shehu, në një intervistë për “Panorama Sport” deklaroi se në Gjirokastër nuk pa asgjë nga “demat”. Sipas tij, ekipi vijon të gabojë ndaj të voglave, gabime të cilat i kanë kushtuar titullin në dy sezonet e fundit. Pas humbjes me Luftëtarin, Shehu pohoi se lojtarët dhe stafi duhet të marrin më shumë përgjegjësi në vijim. Në fund, ai ka edhe një këshillë për tifozët dhe rikthimin në Tiranë.


Partizani ende nuk ka nxjerrë mësime nga e shkuara, pasi sërish gabon me ekipe të zonës së poshtme. Si e shpjegon Ylli Shehu këtë fenomen?


Partizani në përballjet me të voglat e ka humbur kampionatin në dy sezonet e fundit. Nëse Skënderbeu i merrte thjesht këto ndeshje, Partizani ka pasur gjithnjë vështirësi në ndeshje të tilla. Ndërsa këtë vit kemi Kukësin që po ecën mirë në përballjet me të voglat. Skënderbeu dhe Kukësi kanë treguar se, edhe kur nuk luajnë mirë, arrijnë të marrin pikë apo të fitojnë në takimet ndaj skuadrave të zonës së poshtme. Ndërsa Partizani, në momentin që luan dobët, e lëshon fare.


Pse ndodh kjo gjë?

Mendoj se është mungesë impenjimi. Mbase lojtarët mendojnë se mund ta marrin lehtë rezultatin. Shembulli më i freskët është ndeshja e fundit ndaj Luftëtarit. Në Gjirokastër nuk pashë asgjë të përbashkët me Partizanin që jemi mësuar të shikojmë më parë.

Mos ndikoi edhe euforia që u vu re gjatë merkatos, pasi u dha përshtypja se titulli u fitua që në janar?

Edhe kjo qëndron, gjithsesi grupi është i mirë. Mendoj se, sapo të zbresin me këmbë në tokë, do të ecin mirë dhe do të ngjiten lart.

Duke ditur se janë edhe 17 javë për t’u luajtur dhe diferenca është 4 pikë me kreun, ndoshta më mirë që i ndodhi tani humbja Partizanit?

Mirë do të ishte që të kishin marrë edhe ndonjë pikë në Gjirokastër, apo të fitonin me lojë të dobët. Por loja e dobët dhe humbja duhet t’i vërë para përgjegjësisë si lojtarët, por edhe stafin.

Të dielën presin Vllazninë, një ekip që i ka nxjerrë probleme. Madje rezultatet e fundit me shkodranët kanë ndikuar te humbja e titullit…

Këto janë skuadrat që të prishin punë, pasi kanë hallin e tyre të mbijetesës. Këto ekipe janë të detyruara të shtrëngohen maksimalisht.

Te humbja në Gjirokastër, a ndikoi mungesa e Ekubanit dhe Trashit?

Mungesa e çdo lojtari ka efektin e vet në skuadër. Mbase edhe ekipi është mësuar me Ekubanin në lojë, pasi ai është lojtar i fuqishëm dhe i tërheq përpara në sulm. Pastaj, në këtë takim edhe Torasa u fut vonë në fushë dhe pesha e takimit ra mbi lojtarët e rinj, të cilët duhet të dilnin në sulm. Edhe Mazrekaj vinte nga dëmtimi dhe, në këtë takim, u pa qartë që Partizani çaloi në daljen në sulm.

Partizani së fundmi po çalon më shumë në pikën e tij më të fortë, në mbrojtje, gjë e cila u vu re jo vetëm ndaj Luftëtarit, por edhe në ndeshjet miqësore në Turqi…

Edhe mbrojtja u hap, pasi ekipi u hodh më përpara. Kështu që u prishën marrëdhëniet në ekip. Faktikisht, Starova shquhet që nuk ia prish marrëdhëniet ekipit gjatë gjithë kohës, por në Gjirokastër me sa duket loja i iku nga duart.

Luftetari - Partizani

Si e shikoni rikthimin e Partizanit si pritës në kryeqytet?

Rikthimi në kryeqytet është gjë e mirë, pasi Partizani do të ketë më shumë mbështetës. Edhe në Elbasan nuk i mungoi mbështetja, por ishte më e vogël, pasi ndikoi distanca dhe kishte më shumë shpenzime.

Po zhurmën e krijuar për stadiumin, ku tifozët e Tiranës janë të pakënaqur që Partizani do të luajë në shtëpinë e tyre, si e komentoni?

Nuk ka ndonjë problem pse luan Partizani në atë stadium. Nuk ka lidhje fare me zhvillimin e ndeshjes aty. Bën vaki se, edhe kur Partizani të ndërtojë kompleksin e tij, Tirana do të vijë të luajë si pritës, pasi nuk dihet si merr rrjedha. Pra, bëhet fjalë për një stadium që Partizani e ka të vetin, jo si Tirana që e ka në përdorim, pasi ai stadium është pronë e Bashkisë.

Keni ndonjë mesazh për tifozët e Partizanit, se si duhet të sillen në stadiumin “Selman Stërmasi”?

Tifozët duhet të bëjnë dekorin e tyre të bukur në stadium, të eliminojnë sharjet dhe ofendimet, në mënyrë që të afrohen sa më shumë njerëz. Pikërisht, nga këto ofendime të tifozëve në stadium, shumë persona nuk kanë qejf të shkojnë aty dhe preferojnë që ta shikojnë ndeshjen në televizor. Të vjen keq për këtë dukuri që ndodh në stadiumet tona, pasi tifozët bëjnë dekore dhe atmosferë të zjarrtë, kuptohet në momentin e tifozllëkut normal. Por, kur fillojnë sharjet në kor, atëherë tifozllëku i tyre bëhet i dëmshëm, sepse shumë persona, kryesisht familjarë, nuk preferojnë të ndodhen në një ambient të tillë.

Presidenti Demi u ka bërë thirrje tifozëve që ta ruajnë stadiumin sikur të jetë pronë e Partizanit. Mendoni se mbështetësit e kuq do ta zbatojnë këtë porosi?

Besoj se tifozët do ta kenë parasysh këtë këshillë dhe do t’i përgjigjen thirrjes së presidentit. Është diçka normale, nuk ka punë njeri që të merret me stolat. Detyra e tifozëve është që të mbështesin ekipin e tyre dhe nuk kanë pse të kenë probleme me gjyqtarin, apo kundërshtarin.

A mbetet Partizani brenda objektivave edhe pas humbjes në Gjirokastër?

Partizani ka sërish ndeshje direkte me Kukësin dhe Skënderbeun. Mendoj se ekipi do të ecë përpara, por duhet të sforcohet pak më shumë në javët në vijim. Përballjet me skuadrat e zonës së poshtme duhet t’i marrë më seriozisht./panoramasport

Etiketa: